E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbi, dyshohet për një atentat ndaj ministres të drejtësisë

Një grup kriminal, që dyshohet për lidhje me grupe të rrezikshme mafioze, po përgatiste në fillim të vitit tjetër një atentat kundër ministres serbe të Drejtësisë, Snezana Maloviç.
Lajmi u bë i ditur ditën e premte nga mediat serbe, sipas të cilave, shkak për këtë atentat ishte një iniciative ligjore e ministres. "Një grup kriminal i dyshuar për lidhje me Sreten Jociç, planifikoi në fillim të vitit vrasjen e ministres së Drejtësisë, Snezana Maloviç," njoftoi televizioni serb "B92", i cili citoi një burim të Ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë, ministrja Maloviç nuk i komentoi zyrtarisht këto informacione.
Sreten Jociç konsiderohet si një nga kryemafiozët më të fuqishëm në rajonin e Ballkanit. Aktualisht ai ndodhet në burg në Serbi që prej fundit të prillit, i akuzuar për organizimin e vrasjes së gazetarit kroat Ivo Pukaniç, drejtor i së përjavshmes kroate "Nacional", në tetor të vitit 2008.
Sipas të përditshmes serbe "Blic", autoritetet serbe ishin informuar se disa vrasës profesionistë ishin angazhuar për vrasjen e Maloviçit gjatë muajit janar të këtij viti, përpara maternitetit ku ajo pritet të lindë një fëmijë.
Motivi i atentatit ishte miratimi i ligjit për shpronësimin kriminelëve, që është miratuar në mars të vitit 2009.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›