E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli godet me tre raketa Libanin

Ushtria izraelitë ka goditur me anë të tri raketave në mëngjesin e së shtunës, një lokalitet në jug të Libanit. Lajmi është bërë i ditur për "France Presse" nga zyrtarë të ushtrisë libaneze. Sulmi nga ana e izraelitëve ka qënë një përgjigjje e menjëhershme ndaj Libanit, pas hedhjes nga ky i fundit të disa raketa Katjusha në drejtim të shtetit hebre, njëra nga të cilat ka goditur qytezën e Malotit, duke plagosur tre persona. Sipas burimeve të sigurisë nga Bejruti, kundërsulmi i Izraelit nuk ka shkaktuar viktima, edhe pse ka përhapur panik në mesin e qytetarëve. "Armiku izraelit ka sulmuar Libanin, duke goditur rajonin e El Klailesë, në jug të qytetit bregdetar të Tiros, dhe forcat e armatosura kontrollojnë zonën", ka deklaruar një zëdhënës i ushtrisë libaneze. Zëdhënësi ka përgenjështruar faktin se një raketë e tretë e hedhur nga Libani, ka goditur në mëngjes Izraelin, ashtu sic ka njoftuar në radio izraelite. "Dy raketa janë hedhur nga Libani, dhe kanë rënë po në territorin libanez. Ato nuk kanë kaluar kufirin", ka theksuar zëdhënësi. Lëvizja Shiite anti-izraelite Hezbollah ka mohuar të jetë në dijeni të rrethanave relative të hedhjes së raketave në jug të Libanit, drejt Izraelit. "Nuk dimë asgjë dhe nuk kemi asnjë koment për të bërë", është shprehur një zëdhënës i kësaj partie nga kryeqyteti libanez Bejrut. Liderët e lëvizjes filo iraniane kanë theksuar disa herë së fundmi, se janë gati t'i përgjigjen cdo sulmi të mundshëm izraelit dhe se kanë në dispozicion një arsenal armësh më të madh se ai që është përdorur gjatë konfliktit të verës së vitit 2006, ndaj shtetit hebre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›