E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli i kërcënohet palestinezëve

Një ministër i kabinetit të Izraelit ka theksuar sot se vendi i tij mund të aneksojë territore shtesë në Bregun Perëndimor, nëse palestinezët shpallin në mënyrë të njëanshme shtetësinë e tyre.

Nëse palestinezët ndërmarrin një hap të këtillë të njëanshëm, atëherë Izraeli mund të shqyrtojë mundësinë e miratimit të ligjit, për aneksimin e disa kolonive, tha ministri për Ambient, Gilad Erdan, aleat i ngushtë i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Pa përcaktuar ndonjë afat kohor, zyrtarët palestinezë theksuan gjatë fundjavës se palestinezët planifikojnë ti drejtohen Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në kuadër të përpjekjeve të tyre për të siguruar përkrahje për shtetin e pavarur palestinez në territoret e Bregut Perëndimor dhe Gazë.

Palestinezët theksuan se synojnë ta ndërmarrin këtë hap, për shkak të frustrimit të tyre për mungesën e përparimit në bisedimet paqësore, të cilat janë bllokuar që një vit. Presidenti palestinez, Mahmoud Abass ka theksuar se negociatat nuk mund të rifillojnë, përderisa Izraeli të mos ndal aktivitetet nëpër koloni.

Këto deklarata nxitën edhe reagimin e Netanyahut, i cili theksoi se palestinezët mund të sigurojnë shtetin e tyre, vetëm në kuadër të negociatave paqësore me Izraelin.

Nuk ka alternativë për negociatat mes Izraelit dhe autoriteteve palestineze. Hapat e njëanshëm vetëm sa do të nxisin ndërmarrjen e hapave të njëanshëm edhe nga ana e Izraelit, tha Netanyahu.

Zyrtarët palestinezë kanë theksuar se iniciativa diplomatike e tyre nuk ka për qëllim shpalljen e njëanshme të pavarësisë dhe theksuan se synimi i kësaj iniciative është formalizimi i përkrahjes ndërkombëtare, për shtetin të cilin dëshirojnë ta formojnë palestinezët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›