E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet njeri numër dy i mafisë në Sicili

Policia italiane ka arrestuar njeriun numër dy të mafisë në Sicili, të njohur me emrin Cosa Nostra. Domenicco Raccuglia u arrestua pas 15 viteve në arrati, njoftuan zyrtarët.

Raccuglia 45 vjet, i cili është dënuar tri herë me burgim të përjetshëm, nën akuzat për rolin që ka luajtur në rrëmbimin dhe vrasjen e një adoleshenti, është arrestuar në rajonin Trapani, njoftoi policia.

Raccuglia, i cili është njohur edhe me nofkën Veterinari, për shkak të dashurisë së tij për kafshët, ka qenë një prej 30 personave më të rrezikshëm të Italisë në arrati, njoftoi agjencia ANSA.

Para arrestimit të tij, ai kishte bërë përpjekje që të arratisej nga ballkoni i banesës, në të cilën është fshehur në lagjen Calatafimi. Megjithatë, policia arriti ta rrethojë banesën dhe ta arrestojë atë.

Ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, theksoi se ky arrestim paraqet një prej goditjeve më të rënda kundër mafisë gjatë viteve të kaluara, pasi që Raccuglia ka qenë njeriu numër dy i Cosa Nostras.

Raccuglia është konsideruar si një prej kandidatëve të mundshëm për funksionin e bosit të ri të mafisë në Palermo.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›