E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli, i vendosur për ndërtimet

Vendimi i rikonfirmuar ngjall armiqësi Deklarohet sërish gjatë vizitës së Natanjahut në Uashington

I palëkundur nga përkeqësimi i marrëdhënieve së fundi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dje, Izraeli konfirmoi zyrtarisht planet e tij për të shtrirë ndërtimet hebreje në Jerusalemin Lindor. Kjo lëvizje ka inatosur sigurisht palestinezët dhe Perëndimin, të cilët kanë ngulur këmbë gjatë kësaj kohe për një ngrirje të këtij vendimi, në mënyrë që t’i jepet mundësi rifillimit të bisedimeve të paqes. Lajmin e dha një zyrtar hebre, i cili njoftoi dje zyrtarisht pathyeshmërinë e vendimit të marrë për ndërtimet. Ky njoftim ka ardhur ndërsa Kryeministri izraelit Natanjahu ndodhej për një vizitë të shkurtër dhe të profilit të ulët në Uashington, ku u takua me Presidentin Obama dhe zëvendësin e tij, Biden. Në fakt, takimi kishte të bënte për rishikimin e mundësive për rifillimin e bisedimeve të paqes, të cilat u cenuan nga shpallja e ndërtimeve të reja në pjesën e Jerusalemit, të cilën palestinezët e duan si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm. Lajmi i parë për këtë vazhdim të ndërtimeve u dha ditën kur zëvendëspresidenti Biden ndodhej për një vizitë zyrtare në Jerusalem. Lajmi i dhënë në këtë ditë shërbeu si shkak për nisjen e krizës më të rëndë të përjetuar këto 35 vitet e fundit mes Uashingtonit dhe Jerusalemit, të cilën Natanjahu kishte shkuar që ta sqaronte dje. Po dje, ndërsa ai ndodhej në Uashington, nga Jerusalemi i hidhet sërish benzinë zjarrit, duke rikonfirmuar ndërtimin e banesave të reja në këtë zonë të kryeqytetit. Këto plane, sipas Uashingtonit, janë “ofenduese”. Në këtë rrethanë aspak të mirë të marrëdhënieve mes të dyja vendeve me një miqësi tradicionale, ka ndodhur edhe veprimi i Britanisë së Madhe, e cila njoftoi vendimin për të larguar nga vendi një diplomat hebre për akuzat e falsifikimit të një pasaporte angleze të përdorur nga vrasësi i dyshuar i komandantit të Hamasit në Dubai. Izraelit i erdhi keq për vendimin e Britanisë, por megjithatë, mes të dy vendeve, nuk duket të ketë ndonjë dëmtim të marrëdhënieve. Ndërkaq, shefi i negociatorëve palestinezë, Saeb Erkat, deklaroi se këto veprime të fundit të hebrenjve janë pjesë e tentativave për t’i dhënë fund forcërisht pranisë së palestinezëve në Jerusalemin Lindor, i cili u mor me dhunë nga hebrenjtë gjatë luftës së vitit 1967.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›