Poetesha arabe akuzon klerikët e lartë për mbjellje frike në popull
Një poeteshë myslimane e mbuluar kokë e këmbë me shami ka përdorur një moment televiziv të drejtpërdrejtë për të akuzuar klerikët e lartë myslimanë. Bëhet fjalë për një program të famshëm televiziv, ku poetët konkurrojnë me njëri-tjetrin përmes recitimit të poezive të tyre dhe të klasikëve arabë. Një konkurrente e programit, e mbuluar kokë e këmbë me shami, në vend që të zgjidhte një poezi normale, proklamoi një sulm të ashpër ndaj klerikëve të lartë myslimanë, të cilët, sipas vetë fjalëve të saj, “janë ulur në pozicione pushteti dhe prej andej frikësojnë popullin me lutjet dhe urdhrat e tyre aspak paqësore”. Programi transmetohet çdo javë në televizionin e Abu Dhabit. Disa recitojnë poezitë e tyre, të tjerë poezi të të tjerëve, por vajza kishte zgjedhur një poezi të sajën me këtë temë rebelimi dhe akuze. Në fund të interpretimit, ajo ka marrë duartrokitjet e audiencës dhe me këtë poezi ajo zuri edhe një vend ndër finalistët e konkursit. Ndërkohë që me këtë poezi është më e favorizuara për të fituar shfaqjen, ajo ka marrë edhe disa kërcënime për vdekje, të cilat janë postuar në disa sajte islamike. Ndërkaq, ajo nuk është trembur, duke deklaruar se është mësuar me kundërshtitë dhe kërcënimet, pasi është e bindur që poezitë e saj janë “provokuese”. Unë dua të shpreh lirshëm atë që mendoj dhe t’u jap zë grave arabe, të cilave prej shekujsh ua kanë mbyllur gojën ata që kanë uzurpuar kulturën dhe fenë tonë”. Poezia e saj është konsideruar si një sulm i mirëfilltë dhe i hapur ndaj klerikëve të lartë të Arabisë Saudite, të cilët vazhdojnë ta konsiderojnë gruan si një objekt.
#