E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të penalizohen vendorët për kanabisin

“është turp që komunat shqiptare njihen në Europë si qendra për kultivim droge”

“Shqipëria është një vend ku kultivohet droga, kultivohet kanabisi dhe kjo përbën një problem madhor”. Këto janë fjalët e Kryeministrit Berisha në takimin vjetor për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të kanabisit. Sipas tij, plantacionet e tyre janë po aq të dukshme sa ato të kallamit. “Pra, gjithçka zhvillohet në dritën e diellit, por strukturat vendore nuk po bëjnë një punë të detyrueshme e për këtë i kërkoj policisë që t’i penalizojë ata sipas ligjit të vënë në fuqi që prej katër vitesh. Ky ligj penalizon qeveritarët vendorë që nuk e denoncojnë kanabisin e mbjellë në territorin e komunave ku ata qeverisin. Me ligjin e pushtetit vendor ata janë të zotët e territorit dhe administratorët e territorit të komunave”, deklaroi Sali Berisha.

Procedim vendorëve

Duke iu drejtuar kreut të Policisë së Shtetit, Berisha kërkoi që të bëhet një analizë sesa qeveritarë vendorë janë çuar për ndjekje penale, pasi, sipas tij, numri i tyre është i kufizuar dhe ligji nuk ka mangësi. “Një punë shumë më e madhe duhet bërë në mbarë vendin për problematikën e kanabisit. Këtë punë duhet ta bëjmë sidomos në këtë periudhë, kur ne kërkojmë heqjen e vizave, kur përgjegjësia jonë është shumë e madhe. Heqja e vizave për qytetarët shqiptarë nuk duhet të parakuptojë në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë kërcënim të çfarëdo lloji për qytetarët e vendeve që heqin vizat ndaj nesh. çdo njeri që i shmanget kësaj detyre, çdo njeri që tregon indiferencë ndaj saj, në një mënyrë apo në një tjetër kërcënon një proces jetik për shqiptarët”, u shpreh kreu i qeverisë. Ai shtoi se vërtet dikush mund të mbjellë dhe mund të fusë në konto një sasi parash, por ai veten e tij, fshatin, rrethin, qarkun dhe vendin e tij e ndëshkon. Sipas tij, shumë më tepër fitohet duke i shërbyer procesit të integrimit, sesa duke rendur pas parcelave me kanabis.

Parcelat pa pronar

“Unë e kuptoj se ka ngastra që mbillen në një shpat mali, ka lëndina të vogla dhe ju mund të thoni se e kemi të vështirë që t’u gjejmë pronarin. Pronari i tyre nuk është i pagjetshëm, ndonëse edhe vështirësia qëndron, por ata që i mbjellin në oborr, ata që i mbjellin në një arë, që me tapi dhe pronësi është e dikujt, për ata të nderuar zotërinj, ju keni përgjegjësi. Në mënyrë absolute nuk ka pse harxhohet fare energji, por formulohet dosja dhe i zoti i tokës apo i shtëpisë dërgohet për ndjekje penale, merret vendimi nga prokuroria për ndalimin apo për arrestimin e tij dhe ai individ nuk do të kishte alternativë tjetër, përveç se të marrë dënimin e merituar. Jam dakord të bëjmë të gjitha llojet e përpjekjeve, por përpjekja më e ndershme, më serioze, më pak e kushtueshme është përpjekja e zbatimit të ligjit. Kryetarit të komunës i thuhet se ne kemi filmuar në komunën tënde, janë këto parcela dhe dosja i dërgohet në prokurori, sepse nuk ka ardhur për të njoftuar. Kjo, sepse kryetarin e komunës po ta ftojnë nëpër dasma shkon nga njëri cep i komunës në tjetrin. Këtë bën dhe shumë mirë që e bën, por për t’i hedhur një sy apo për të dërguar aty punonjës që të kontrollojnë fushat dhe zonat ku mbillet kanabis, e ka pak të sikletshme. Nëse e kanë të sikletshme le të përballen me ligjin. Ne nuk kemi ndërmend të caktojmë inspektor policie për çdo parcelë”, tha i bindur Berisha.

Shpërblim informatorëve

Gjithashtu, ai kërkoi që këtë vit të hapet një kapitull i ri në luftën kundër kanabisit. “Nuk ka pse lodheni fare për të shkuar në Komunën Temal, as në Komunën çerem, as në Lazarat apo diku tjetër, por e filmoj, përcaktoj autorin, dosjen e dërgoj në prokurori dhe ai individ deri sa t’i përgjigjet ligjit do të mbetet i penalizuar dhe në kërkim. Nëse keni nevojë për filmime të të gjitha llojeve, nëse doni të kontraktojmë mjetet më moderne të filmimit, me satelitët më të ndjeshëm, na thoni t’i marrim e t’i filmojmë. Problemi është se ato duhet të përdoren si dokumente për të vendosur para ligjit çdo njeri që e shkel atë, çdo njeri që në mënyrë absolute bëhet përgjegjës për të damkosur vendin. Ju them se në kancelaritë europiane ka komuna shqiptare që janë bërë të famshme, sepse shkojnë zyrtarët tanë dhe u thonë kjo komunë dhe ajo komunë. Ata u thonë të vërtetën, nuk kanë asnjë tendencë”, deklaroi Kryeministri. Më tej, kreu i qeverisë vuri në dukje se për informacionet e mbledhura do të përdoret edhe shpërblimi. Ai kërkoi që Ministria e Brendshme të përcaktojë masën e shpërblimit për sipërfaqe të mbjellë për denoncuesit. “Por duhet të bashkëpunojmë. Duhet të bashkëpunojë pushteti vendor. Pushteti vendor duhet të kontrollojë territorin e tij. Ne do e filmojmë, do e fotografojmë, por është në meritën tuaj të dëshmoni vullnetin e hekurt që në territorin tuaj të mos ketë asnjë rrënjë kanabis”, përfundoi kreu i qeverisë, Sali Berisha.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›