Izraeli kritikon Kethrin Eshtonin

Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Liberman, ka kritikuar shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, e cila ka tërhequr paralele midis sulmeve në shkollën hebraike në Tuluz dhe fëmijëve në Rripin e Gazës.
“Fëmijët, për të cilët duhet të flasë Eshtoni janë ata në jug të Izraelit, të cilët jetojnë nën frikën e predhave që vijnë nga Rripi i Gazës”, thuhet në deklaratën e Libermanit.
Kryediplomatja evropiane, duke shprehur keqardhjen për viktimat në Tuluz, ka krahasuar vrasjen e tre fëmijëve dhe të profesorit në shkollën hebraike me vdekjen e të rinjve në Gaza dhe Siri.
“Kur mendojmë se çfarë ka ndodhur në Tuluz, kur kujtojmë ngjarjet e para një viti në Norvegji, kur e dimë se çfarë ndodh në Siri, Gaza dhe në pjesë të ndryshme të botës, mendojmë në fëmijët dhe të rinjtë që vdesin”, ka thënë Eshton të hënën në Bruksel.