OKB diskuton sot për Sirinë
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë sot draft-rezolutën që i bën thirrje Sirisë të bashkëpunojë me përpjekjet e të dërguarit të OKB-së dhe të Ligës Arabe, Kofi Anan, për t`i dhënë fund gjakderdhjes në vend.
Detaje të tjera për përmbajtjen e dokumentit joobligues, të propozuar nga Franca, nuk janë bërë të ditura.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska do ta mbështesë atë, por ka shtuar se deklarata nuk mund të përmbajë ultimatume që shënjestrojnë regjimin sirian.
Rusia dhe Kina u ka kanë vënë dy herë veto rezolutave të Këshillit të Sigurimit që dënonin dhunën në Siri dhe kërkonin largimin e presidentit Bashar al-Asad nga pushteti.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, ka thënë se gjakderdhja në Siri është bërë “e patolerueshme”.
I dërguari special, Kofi Anan, i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të bashkohet rreth planit të tij për t`i dhënë fund gjakderdhjes.
Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna që prej marsit të vitit të kaluar.