Izraeli ndryshon qëndrim ndaj Gazës
Izraeli ka ndryshuar qëndrim ndaj embargos në Gaza. Sipas asaj që raporton një burim qeveritar, shteti hebraik do të lejojë futjen në Gaza e të gjitha të mirat civile, por ajo armëve. “Jemi angazhuar që gjithë fluksi i të mirave të mbërrijë në duart e popullsisë së Gazës. Që prej ditës së sotme i është hapur drita jeshile për të gjitha objektet që mund të përdoren për qëllime civile. Përjashtim bëjnë vetëm armët dhe mjete të tjera ushtarake që nuk duhet të bien kurrsesi në duart e Hamasit”. Ky lëshim i Izraelit vjen pikërisht në ditën kur Netanjahu u takua me të dërguarin e Kuartetit për Lindjen e Mesme, Tony Blair, për të diskutuar pikërisht për embargon pas kritikave të ardhura për shtetin hebraik pas 4 vjet bllokazhi të Rripit të Gazës dhe pas sulmit ndaj flotës së aktivistëve. Në datën 6 korrik, Netanjahu do të takojë Presidentin amerikan Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë, pasi shumë herë Obama e kishte cilësuar si të paqëndrueshme situatën në Rripin e Gazës. Blair kishte kërkuar ta çonte Netanjahun drejt rrugës së një marrëveshjeje që të përcaktonte vetëm një listë për gjërat që nuk do të lejoheshin dhe të vendoseshin kushtet për ato që mund të pranoheshin. Në listën e produkteve të ndaluara deri më tani ishin edhe disa produkte, si letra higjienike dhe mbi të gjitha materialet e ndërtimit, si çimentoja, të konsideruara të rrezikshme, por të pandashme për ndërtimin e kësaj zone. Në ditët e kaluara, Izraeli e kishte zgjeruar më tej listën për produktet që mund të hynin në Gaza, ku mes të tjerave kishte shtuar edhe kroasantët dhe mobiliet për shtëpitë. Por, nga ana tjetër, Izraeli nuk e ka lejuar ministrin gjerman për Zhvillim, Dirk Niebel, të shkojë në Rripin e Gazës. Niebel tha për gazetën "Leipziger Volkszeitung", se vendimi i Izraelit është një gabim në politikën e jashtme. Politikani liberal Niebel është edhe zëvendëspresidenti i shoqatës izraelite-gjermane. Të dielën ai do të vizitonte në Rripin e Gazës, ku sundon Hamasi radikal, një fabrikë për përpunimin e ujërave të zeza që financohet nga ndihmat gjermane për zhvillim.
#