E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, në pranga kancelari i gjykatës

Korçë Arrestohet edhe shefi i personelit të burgut. Përshpejtuan afatet e nxjerrjes së një vendimi civil

Përfundojnë në pranga dy zyrtarë të institucioneve të rëndësishme në qytetin e Korçës. Kancelari i gjykatës së rrethit, Shkëlqim Kajmaku, si dhe shefi i personelit të burgut të sigurisë së lartë të Drenovës, Arben Hoxha, janë arrestuar dje për akuzën e “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim”, dhe “shpërdorim detyre” parashikuar nga nenet 259 dhe 25 të Kodit Penal. Ata dyshohet se kanë favorizuar një qytetar për përshpejtim të afateve në nxjerrjen e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë të Korçës. Policia ka bërë të ditur se Hoxha është arrestuar në flagrancë duke marrë 500 mijë lekë, ndërkohë që në momentin e ndalimit i është gjetur edhe vendimi i gjykatës, si dhe dokumente që vërtetonin shkeljet ligjore dhe përfshirjen e kancelarit të gjykatës, Shkëlqim Kajmaku.

Arrestimet

Shkëlqim Kajmaku, 52 vjeç, me detyrë kancelar i Gjykatës së Faktit në Korçë, si dhe shefi i personelit në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, Arben Hoxha, 51 vjeç, janë ndaluar mëngjesin e së dielës në kuadër të operacionit të koduar “Kancelari”. Fillimisht është ndaluar në kushtet e flagrancës 51-vjeçari Hoxha, duke tërhequr ryshfetin prej 500 mijë lekësh. Më pas është bërë ndalimi i kancelarit Hoxha. Ndërkohë, mësohet se prokuroria e rrethit pas dokumentimit të rastit në fjalë, po thellon hetimet, pasi dyshohet se dy zyrtarët kanë bashkëpunuar në mënyrë të përsëritur me njëri-tjetrin për qëllime përfitimi. Burimet policore kanë bërë të ditur se dy të arrestuarit në flagrancë, kanë pranuar t’i marrin shtetasit K.Kafexhiu shumën prej 500 mijë lekësh, duke i premtuar se do ta ndihmonin me përshpejtimin e një vendimi gjykate, që më pas do t’i kalonte zyrës së Përmbarimit. Nga hetimet ka rezultuar se Kafexhiu ka pasur një konflikt për një shumë lekësh të dhënë hua një shtetasi. Për borxhin prej 30 milionë lekësh, të dyja palët kishin nënshkruar kontrata noteriale, por borxhliu nuk ka respektuar afatet e kthimit të lekëve. Për këtë shkak, Kafexhiu i është drejtuar gjykatës. Sipas të dhënave ka qenë shefi i personelit të burgut, ai që ka bërë sekserin duke ndërmjetësuar me kancelarin e gjykatës për të kryer nxjerrjen e vendimit të gjykatës, që do të bënte ngrirjen e pronave të personit që kishte marrë lekët borxh. Policia sqaron se Kapexhiu nuk ka pasur probleme së fundmi me drejtësinë edhe pse ka qenë i dënuar më parë. Pas arrestimit të dy zyrtarëve, policia po thellon hetimet bashkë me prokurorinë për lidhjet mes dy të arrestuarve, pasi dyshohet të kenë kryer në mënyrë të përsëritur veprime korruptive për qëllime fitimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›