E Diel, 1 Nëntor 2026

Ethet hemorragjike, pas një muaji mjekët nisen drejt Kukësit

Grup inspektimi për të ndjekur nga afër situatën. Tre persona të tjerë të shtruar, njëri në gjendje të rëndë

Ethet hemorragjike, nga disa raste sporadike po rëndohet më tej. Në fillim të javës së kaluar u paraqitën tri raste, njëri prej të cilëve në moshë të vogël, ndërkohë që edhe në fundjavë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur raste të tjera të ardhura nga veriu i vendit, zonë ku po evidentohen banorët e infektuar. Duke parë rritjen e numrit të pacientëve nga dita në ditë, është marrë vendimi për ngritjen e një grupi pune, me përbërje mjekë infeksionistë dhe epidemiologë për të parë nga afër pacientët e shtruar në spitalin e Kukësit, si dhe gjetjen e të dhënave infektive. Edhe pse gati pas një muaji, grupi i posaçëm është nisur drejt Kukësit për të analizuar, marrë të dhëna dhe për të krijuar një ide më të qartë të masave apo rrezikut në ditët në vijim për shëndetin publik, por edhe të banorëve të zonave veriore. Sipas mjekëve të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, njëri nga pacientët e ardhur dy ditë më parë për trajtim në këtë pavijon ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pacientët

Në spitalin infektiv të Tiranës janë shtruar edhe tre personat e prekur nga ethet hemorragjike, të cilët trajtoheshin në qytetin e Kukësit. Specialistët e shëndetësisë pohojnë se gjendja shëndetësore e nëntë personave të prekur nga kjo sëmundje është në monitorim të plotë. Drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, i cili me një grup mjekësh është nisur drejt spitalit të Kukësit për të monitoruar nga afër gjendjen, ka sqaruar se rasti i paraqitur nga Hasi ka qenë më i rëndi, por sipas të dhënave të fundit ka përmirësim të shëndetit të pacientit.

Nga analizat e kryera në laborator janë vërejtur edhe raste të tjera pozitive, por sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik ato janë asimptomatike. Ethet hemorragjike shfaqen me temperaturë të lartë dhe me hemorragji të brendshme.

Prek kryesisht moshat mbi 18 vjeç dhe transmetohet përmes kontaktit të ngushtë mes njerëzve. Kjo sëmundje, e cila merret nga pickimi i rriqrës shkakton vdekje nëse nuk trajtohet menjëherë. Gjatë muajit qershor kjo sëmundje është përhapur kryesisht në zonat verilindore, ku janë prekur disa persona e është shënuar edhe një vdekje në fshatin Zgjegj të Komunës Golaj në Has.

Sëmundja ngjitëse

Shenjat e sëmundjes janë temperaturë, ethe dhe hemorragji.
Burim infeksioni janë kafshët, kryesisht miu dhe insektet. Transmetohet edhe te njerëzit me kontakt të ngushtë. Nuk ka mjekim specifik. Ethet hemorragjike janë grup i sëmundjeve infektive akute të rënda të shkaktuara nga viruset. Karakterizohen me dëmtim të sistemit vaskular, si dhe çrregullim të aftësisë rikuperuese të organizmit.

Këto simptoma shpesh shoqërohen me hemorragji, që në shumicën e rasteve janë edhe shkaktarë të vdekjes. Shkaktarët e etheve hemorragjike janë të përhapur në të gjithë globin. Njerëzit mund të infektohen edhe nga strehuesit e eksportuar prej vendeve të tjera, që njihen si vende endemike për një lloj të caktuar të etheve hemorragjike.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›