Izraeli në ngërç pas zgjedhjeve, Herzog u bën thirrje partive: Të bëjmë gjithçka për të shmangur një tjetër proces zgjedhor
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, u bëri thirrje të mërkurën partive politike në vend që të bëjnë gjithçka për të shmangur një tjetër palë zgjedhjesh, pas rezultatit të votimeve të një dite më parë, të cilat nuk i dhanë asnjërit prej dy blloqeve kryesore një rrugë të qartë për formimin e qeverisë.

“Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi, veçanërisht pas ditës së djeshme, për të shmangur një tjetër palë zgjedhjesh. Prandaj, pres që kushdo që vjen këtu të vijë me mendje të hapur”, deklaroi Herzog gjatë një takimi në Rezidencën Presidenciale në Jerusalem.
Në prag të zgjedhjeve, kur sondazhet parashikonin kryesisht një rezultat pa fitues të qartë, presidenti kishte theksuar se do të bënte gjithçka që ishte në dorën e tij për të siguruar formimin e një qeverie të qëndrueshme.
Herzog tha se pret të marrë javën e ardhshme rezultatet zyrtare të zgjedhjeve nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Noam Sohlberg. Pas kësaj, ai do të nisë konsultimet me secilin prej fraksioneve të Knessetit, parlamentit izraelit, për formimin e qeverisë së re.
Presidenti vlerësoi gjithashtu pjesëmarrjen jashtëzakonisht të lartë në zgjedhje, duke e cilësuar atë si një “simbol nderi për shoqërinë izraelite”. Sipas tij, pjesëmarrja dëshmoi se sa e fortë është dëshira e qytetarëve izraelitë për demokraci.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 22:00, kur u mbyllën qendrat e votimit, pjesëmarrja kishte arritur në 77.7%, nga 70.6% që ishte në zgjedhjet e vitit 2022. Kjo është pjesëmarrja më e lartë e regjistruar që prej vitit 1999.
Sipas rezultateve të përditësuara deri të mërkurën, kur ishin numëruar 85% e votave, blloku i koalicionit të udhëhequr nga partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu kishte siguruar 53 mandate.
Ndërkohë, blloku opozitar, i udhëhequr nga partia Yashar e Gadi Eisenkot, kishte marrë 48 mandate.
Asnjëri prej dy blloqeve nuk arrin shumicën prej 61 deputetësh, e nevojshme për të formuar qeverinë në parlamentin izraelit me 120 vende. 19 mandatet e mbetura u takojnë partive arabe, të cilat përballen me vështirësi për t’u përfshirë në një prej dy koalicioneve.
Pavarësisht rezultatit të paqartë, si Benjamin Netanyahu, ashtu edhe Gadi Eisenkot kanë deklaruar se synojnë të jenë ata që do të formojnë qeverinë e ardhshme.
Edhe pse Sohlberg pritet t’i dorëzojë zyrtarisht rezultatet përfundimtare presidentit javën e ardhshme, rezultati real i zgjedhjeve mund të bëhet i qartë që në ditët në vijim.
Burime të paidentifikuara pranë presidentit i kanë thënë medias Ynet se Herzog mund të nisë kontaktet me drejtuesit e partive që të premten, duke u bazuar në rezultatet pothuajse përfundimtare.
Në bazë të kompetencave të tij kushtetuese, presidenti Herzog ka të drejtë të vendosë se cili kandidat do të marrë i pari mandatin për të formuar qeverinë.
Përpara se të marrë vendimin, ai duhet të konsultohet me drejtuesit e të gjitha partive të përfaqësuara në Knesset. Historikisht, presidentët kanë zgjedhur shpesh kreun e fraksionit më të madh parlamentar për të tentuar i pari formimin e qeverisë. Në këtë rast, kjo mund të jetë partia Likud.
Megjithatë, një nga faktorët më të rëndësishëm është numri i rekomandimeve që secili kandidat merr nga deputetët për postin e kryeministrit.
Kandidati i përzgjedhur nga presidenti do të ketë 28 ditë kohë për të formuar qeverinë. Nëse do të ketë nevojë për më shumë kohë për të përmbyllur negociatat për koalicionin, ai mund të kërkojë një zgjatje prej 14 ditësh.
Nëse përpjekja e parë dështon, Herzog mund t’ia japë mandatin një kandidati tjetër. Ky i fundit do të ketë gjithashtu 28 ditë për të formuar qeverinë, por pa mundësi për zgjatje të afatit.
Në rast se dështon edhe kjo përpjekje, ekziston një mundësi e fundit, një shumicë prej 61 deputetësh mund t’i propozojë presidentit një kandidat tjetër për të tentuar formimin e qeverisë. Ky kandidat do të ketë në dispozicion një afat maksimal prej 14 ditësh.
Nëse edhe kjo përpjekje dështon, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.