Izraeli njofton lehtësime të tjera të bllokadës
Ministri gjerman për Zhvillim, Dirk Niebel ka përshëndetur vendimin e Izraelit për lehtësime të bllokadës së Gazës. Ai tha se është shumë i lumtur që tani do të ketë një listë negative, duke komentuar për televizionin ARD. Të dielën Izraeli njoftoi për një lehtësim të mëtejshëm të bllokadës së Rripit të Gazës që është vendosur qysh prej tre vjetësh. Sipas kabinetit për çështjet e sigurisë të kryeministrit, Benjamin Netanjahu, tani ai do të ndalojë vetëm importin e armëve, municioneve dhe "mallrave problematike". Të gjitha mallrat e tjera në të ardhmen mund të sillen në territorin palestinez. Këtu përfshihen edhe materiale ndërtimi për qëllime civile. Këtë Izraeli më parë e kishte ndaluar me arsyetimin se në Rripin e Gazës, Hamasi radikal-islamik që është në pushtet mund t'i keqpërdorë materialet për ndërtimin e bunkerëve të rinj. Për shkak të ndalimit të udhëtimit të ministrit gjerman të Zhvillimit, Dirk Niebel në Rripin e Gazës, në Gjermani ka pasur përsëri kritika ndaj Izraelit. Ministri gjerman për Zhvillim gjendet për një vizitë katërditore në Izrael dhe në rajonet palestineze. Në listën e vendeve që do të vizitojë është edhe Rripi i Gazës, por kjo është kundërshtuar nga qeveria izraelite. Vendimi i qeverisë izraelite që ministrit gjerman për Zhvillim Dirk Niebel t'i ndalojë udhëtimin në Rripin e Gazës ka shkaktuar kritikat më të ashpra deri tani të një anëtari të kabinetit qeveritar gjerman. Niebel tha se kjo dëshmon frikën e qeverisë në Jerusalem nga transparenca, duke thënë se ky është një gabim i madh i qeverisë izraelite në politikën e jashtme. Edhe kryeministri palestinez Salam Fajad deklaroi për mediat gjermane se kur një ministri gjerman i ndalohet udhëtimi në Rripin e Gazës, atëherë me siguri që ka një problem.