Turqi/ Nuk hapet parashuta e shpëtimit, vdes 22 vjeçari
Ka përfunduar tragjikisht aventura e një parashutisti turk, i cili ka humbur jetën kur ka rënë në liqen. Ngjarja ka ndodhur të dielën pasi litarët e parashutës kryesore ishin ngatërruar me litarët e parashutës rezervë apo siç njihet ndryshe me parashutën e shpëtimit. 22 vjeçari Mehmet Yildiz po fluturonte në qytetin bregdetar të Detit të Zi, në Trabzon, në kuadër të festivalit ndërkomëbtar të aviacionit kur parashuta e tij kryesore u mbyll në ajër. Yildiz, ka hapur menjëherë parashutën e shpëtimit, por litarët e dy parashutave ishin ngatërruar dhe për pasojë parashutisti ka rënë në liqen, gjë që i shkaktoi edhe vdekjen. Një ekip ndihme ka nxituar menjëhere për ta ndihmuar të riun, i cili nuk dinte të notonte. Pavarësisht ndihmës që i kanë dhënë mjekët, Yildiz, humbi jetën ndërsa po mbërrinte në spital. Festivali i aviacionit u anulua për shkak të tragjedisë.