Izraeli pranon gabimet lidhur me vrasjet e 15 mjekëve në Gaza

Ushtria e Izraelit ka pranuar se ushtarët e saj kanë vrarë gabimisht 15 punonjës të urgjencës në jug të Gazës më 23 mars.
Autokolona e ambulancave të Shoqërisë Palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe (PRCS), një makinë e OKB-së dhe një kamion zjarrfikës nga Mbrojtja Civile e Gazës u sulmuan pranë Rafah.
Izraeli fillimisht pretendoi se trupat hapën zjarr sepse autokolona u afrua “në mënyrë të dyshimtë” në errësirë pa fenerë ose drita sinjalizuese. Ai tha se lëvizja e automjeteve nuk ishte koordinuar më parë ose rënë dakord me ushtrinë.
Pamjet e filmuara nga një nga ndihmësmjekët që u vra, treguan se automjetet kishin drita të ndezura ndërsa iu përgjigjën një thirrjeje për të ndihmuar njerëzit e plagosur. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) këmbëngul se të paktën gjashtë nga mjekët ishin të lidhur me Hamasin, por deri më tani nuk ka dhënë asnjë provë. Ajo pranon se ata ishin të paarmatosur kur ushtarët hapën zjarr.
IDF premtoi një “ekzaminim të plotë” të incidentit. Gjysmëhëna e Kuqe dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare po bëjnë thirrje për një hetim të pavarur.
Izraeli rinisi bombardimet ajrore dhe ofensivën tokësore në Gaza më 18 mars pasi faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit përfundoi dhe negociatat për një fazë të dytë ngecën.
Më shumë se 1.200 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamas.
Ushtria izraelite nisi një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të një sulmi të paprecedentë ndërkufitar më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1.200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng.
Më shumë se 50.600 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë së territorit.
/rtsh.al/