E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Rozafa” tërheq turistët e apasionuar pas historisë, të huajt: Të impresionuar nga vizita në Shkodër

Kalaja “Rozafa” në Shkodër është një nga destinacionet më tërheqëse për turistët e huaj të cilët vijnë në Shqipëri. Ajo është një nga monumentet më të rëndësishme historike e kulturore në Shqipëri. Këtë të shtunë vizitorët e huaj ishin të shumtë. Ata ndihen tepër të impresionuar nga vizita e tyre në qytetin e Shkodrës.

“Kemi ardhur një grup nga Austria. Sapo zbritëm nga autobusi dhe po ngjitemi për në kala. Di të thëm se po e shijojmë shumë vizitën tonë në Shkodër. Është një përvojë unike. Tani do të vizitojmë kalanë, për të mësuar më shumë për të kaluarën e vendit tuaj”, u shpreh një turist.

“Për mua është hera e parë që e vizitoj kalanë e Shkodrës. Duhet thënë se është hera e parë për mua në Shqipëri. Kam ardhur sot këtu, ja vlen të shijosh mrekullitë e këtij qyteti, nga liqeni, kalaja e shumë objekte të tjera”, tha një tjetër.

“Vijmë nga Austria. Përshtypja jonë e pare, është vend i këndshëm.  Në kala është pamja dhe hapësira”, tregoi një tjetër turist.

“Hera e parë këtu. Sapo erdhëm. Morëm disa të dhëna të detajuara të kalasë. Mësuam për legjendën e saj,  është madhështore, shumë e bukur”, tha një tjetër turist .

Kalaja e Rozafës, tërheq vizitorët për shkak të historisë së saj të lashtë, legjendës prekëse dhe pamjeve të mrekullueshme që ofron mbi qytetin e Shkodrës.

Gazetar M. Rakaj   

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›