JTI: Suksesi ynë qëndron te progresi i tregut vendas
Javën e shkuar JTI zhvilloi Akademinë e Biznesit për shitësit me pakicë. çfarë synoi Akademia e Biznesit? çfarë nënkupton për ju si kompani një veprimtari e tillë dhe ç’vlerë ka për shitësit me pakicë?
Një nga rrugët për të garantuar një rritje të vazhdueshme ekonomike të Shqipërisë është investimi në dije dhe krijimi i ekspertëve cilësorë. Edhe pse “Japan Tobacco International” është një operator global, vlera e tij realizohet në tregun lokal. Dhe kjo është arsyeja pse ne zgjodhëm të investojmë në ekspertizën vendase, duke organizuar Akademinë e Biznesit. Qëllimi ynë kryesor është të shohim një përparim më të shpejtë në sistemin shqiptar të shitjeve me pakicë drejt një shërbimi që ka në qendër klientin, në mënyrë që shitësit t’u paraprijnë pritshmërive të blerësve dhe të përmbushin plotësisht kënaqësinë e tyre.
Rritja e kapaciteteve në të gjitha hapësirat e shitjes me pakicë në Shqipëri nënkupton për ne përgatitjen e tregut për të mbështetur më mirë shkallën e re të zhvillimit ekonomik të vendit, që kërkon afrimi i natyrshëm me standardet e BE-së. Si një prej kompanive kryesore të cigareve në Shqipëri, “Japan Tobacco International” mbetet e angazhuar që të mbështesë plotësisht zhvillimin e biznesit. Por kjo është fusha ku ne jemi drejtpërdrejt të përfshirë.
Përveç koncepteve profesionale, çfarë mesazhesh kryesore përcolli kjo Akademi?
Padyshim, Akademia e Biznesit adresoi rrugët sesi bizneset e shitjeve me pakicë mund të potencojnë shitjet dhe të rrisin të ardhurat, të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve dhe të tërheqin partnerë të rinj në biznes.
Ekspertët e shquar, Adriana Berberi dhe Oltion Rrumbullaku, ndanë me pjesëmarrësit një nivel të ri dijesh si për kornizën ligjore dhe rregullatore, politikat fiskale dhe taksat e akcizës, ndërsa mbi çështjet e pozicionimit të produktit në treg, tema që prekin marketingun etj., u zhvilluan në thellësi nga ekspertët e JTI: Alena Bitsan – marketere marke për “Winston”, Giacomo Merli – marketer marke për “Camel” dhe Jeta Cakoli, menaxhere marketingu.
JTI ka hapur një zyrë përfaqësimi në Shqipëri dy vjet më parë.
çfarë ka ndryshuar në Shqipëri dhe çfarë ka ndryshuar në pozicionin e JTI përballë tregut shqiptar?
Ne e shohim tregun shqiptar si një sfidë, por mjaft tërheqës në shanse për zhvillimin e biznesit. Ka ende hapësirë për përmirësime në termat e parashikueshmërisë së ndryshimeve rregullatore. Gjithsesi, përparimi është i dukshëm vit pas viti. Të gjitha kompanitë kryesore të duhanit janë të pranishme në treg dhe kjo prodhon një truall real për konkurrencë, gjë që përbën një prej rrugëve sesi Shqipëria të bëhet një prej vendeve të barabarta anëtare të familjes europiane. JTI është njëri prej dy prodhuesve kryesorë të duhanit në Shqipëri. Sipas të dhënave që kemi JTI është numri një në këtë treg dhe “Winston” është marka më e shitur në treg.
çfarë pozite ka JTI në tregun global?
JTI – “Japan Tobacco International” – është një dega ndërkombëtare e “Japan Tobacco”, Inc. (JT), prodhuesi i tretë më i madh botëror i produkteve të duhanit. Me seli qendrore në Gjenevë –Zvicër, dhe shitje neto USD 10.652 miliardë gjatë vitit fiskal 2008, “Japan Tobacco International” numëron më se 23000 punonjës, ndërsa është aktiv në 120 vende të botës. JTI tregton dy nga tri markat më të njohura botërore: “Winston” dhe “Mild Seven”. Marka të tjera me famë ndërkombëtare përfshijnë “Camel”, “Benson & Hedges”, “Silk Cut”, “Sobranie of London”, “Glamour” dhe LD.
çfarë planesh ka JTI në Shqipëri?
JTI ka ardhur në Shqipëri me një plan afatgjatë biznesi. Ne jemi të fokusuar për të forcuar pozitën tonë në tregun kombëtar, duke mbështetur kësisoj edhe zgjerimin e fuqishëm që JTI ka njohur në mbarë botën. Duke qenë se markat tona janë motori i kësaj rritjeje, ne do të investojmë paprerë në këto marka dhe në ofertën tonë për duhanpirësit e moshës madhore. Natyrisht, JTI nuk mund të ishte i suksesshëm pa punonjësit e vet dhe kjo është arsyeja pse JTI do të investojë paprerë te njerëzit e saj dhe në zhvillimin e tyre profesional. Si kompani që gëzon reputacionin e investitorit të përkushtuar, “Japan Tobacco International” mbetet e angazhuar të mbështesë zhvillimin e secilit prej tregjeve ku ajo operon dhe kjo Akademi Biznesi ishte një prej shembujve të këtij devocioni.
Ju po përmendni investimet edhe në këtë kohë kritike krize. Sa ju ka përfshirë apo ju ka prekur kriza juve si industri duhani dhe kompaninë tuaj konkretisht?
Për shkak të krizës globale financiare, tregu u tkurr, por më e rëndësishmja është se konsumatorët u zhvendosën nga markat më të shtrenjta, te produktet me çmime më të përballueshme. Kishte një rënie të tregut, siç e quajmë ne. Për fat të mirë, ne kishim një portofol produktesh mjaft të diversifikuar dhe jemi në gjendje që t’u përgjigjemi pritshmërive të klientëve. Megjithëse të gjithë i ndjemë efektet e krizës ekonomike, JTI vazhdoi të investonte në kuadër të së ardhmes afatgjatë të biznesit. Ne mendojmë se kjo është mënyra e vetme për ta kapërcyer këtë situatë. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që shtetet të garantojnë një parashikueshmëri dhe stabilitet, veçmas në këto kohë të turbullta dhe të mbështesin ekonomitë e tyre që të dalin nga kriza.
#