E Diel, 1 Nëntor 2026

Kirgistan, Presidenti ikën, pushteti në dorë të shefes së opozitës

Kriza Moska njeh dhe përshëndet qeverinë e re. Uashingtoni, ende në pritje

Gjatë ditës së djeshme në Kirgistanin e përshirë nga trazirat kanë ndodhur zhvillime të mëdha. Shefja e opozitës, që është shpallur si liderja e vendit, ka shpërndarë Parlamentin, ndërsa ia ka kushtuar ditën e djeshme konsolidimit të pushtetit të saj në vijim të një revolucioni të shkurtër e të përgjakshëm që u zhvillua të mërkurën, gjatë së cilit humbën jetën 68 persona. Roza Otunbayeva, ish-ministrja e Jashtme dhe lidere e opozitës deri dy ditë më parë, deklaroi në një konferencë për shtyp se brenda një periudhe prej 6 muajsh do të thërriste zgjedhjet e parakohshme në vend dhe se gjatë kësaj kohe vendi do të niste rrugëtimin drejt një demokracie të shëndetshme. “Ndoshta ky që ndodhi ishte një revolucion i njerëzve, ndoshta një revoltë e të pakënaqurve të shumtë në këtë vend, gjithsesi, çfarëdo që të ketë qenë, ne nuk do të ndërtojmë më tirani, por demokraci të vërtetë”, ka deklaruar liderja e re e vendit, në një konferencë për shtyp që dha sapo shpalli vendimin për zgjedhjet e parakohshme. Sipas shifrave të fundit, si pasojë e përgjakjes së dy ditëve më parë, kanë humbur jetën 68 persona dhe janë plagosur rreth 500 të tjerë, kur mbështetësit e opozitës janë përleshur në kryeqytetin e vendit me forcat e policisë. Këto të fundit kanë qëlluar fillimisht me gaz lotsjellës ndaj njerëzve, por më pas, kur beteja është ashpërsuar, kanë qëlluar me armë të vërteta. Sipas analistëve të ndryshëm, njerëzit kanë qenë të acaruar për shkak të përkeqësimit të dukshëm të kushteve ekonomike, si dhe shkeljeve të shumë të drejtave dhe lirive të njeriut. Liderja e re e vendit deklaroi se Bakyiev, Presidenti i deritanishëm, kishte ikur nga kryeqyteti në një rajon në jug të vendit, në një tentativë për t’u rigrupuar dhe riorganizuar për të rimarrë sërish pushtetin. Ajo tha se Presidenti po refuzonte për të dhënë formalisht dorëheqjen dhe po përpiqej që të rigrumbullonte rreth vetes mbështetje. Por sipas saj, karriera e tij politike ka marrë fund dhe ai nuk është më në komandë të vendit. Ndërkohë që Moska ia ka dhënë mbështetjen e saj qeverisë së re të sapoformuar të Kirgistanit, ajo është në pritje edhe të miratimit nga ana e Uashingtonit. Ndërkaq, ajo premtoi se baza ushtarake amerikane në këtë vend do të vazhdonte që të qëndronte e hapur edhe pas këtyre ndryshimeve. Ndërkohë, punë ka filluar edhe një ministër i ri i Brendshëm i përkohshëm, për të zëvendësuar ministrin që është vrarë gjatë përleshjeve të djeshme. Sipas shefes së re të qeverisë, në vendin e saj nuk do të përdoret kurrë më forca dhe dhuna ndaj demonstruesve të opozitës, dhe se ajo do ta drejtonte vendin deri në zgjedhjet e ardhshme me 4 zëvendësa. Ajo premtoi se do të ndiqte të gjitha rregulla institucionale dhe se do ta zhdukte njëherë e përgjithmonë autoritarizmin në vend.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›