E Diel, 1 Nëntor 2026

Montobio: Hetimi parlamentar, palët të gjejnë marrëveshjen

Ambasadori spanjoll, apel politikës nga qyteti i Vlorës

Diplomacia insiston sërish në apelin e saj ndaj klasës politike shqiptare për të gjetur zgjidhje. Ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, deklaroi dje nga qyteti i Vlorës se “ajo që ka thënë Bashkimi Europian në çdo moment dhe nga deklaratat e ekspertëve që janë thënë këtu në emër të BE-së është që diferencat politike mund të zgjidhen në Parlament”. Sipas tij, këto diferenca duhet të çojnë në një marrëveshje ndërmjet palëve dhe në këtë rast ato janë qeveria dhe opozita. Montobio këmbënguli se kjo marrëveshje duhet të çojë në krijimin e një komisioni parlamentar, pra që të ketë mandatin e të qenit dakord të të dyja palëve dhe kjo të bazohet në principin e transparencës. Kryediplomati në Tiranë i vendit që kryeson Presidencën e Bashkimit Europian nxiti të dyja palët të veprojnë dhe të nisin dialogun, duke krijuar një situatë që të zgjidhë përfundimisht mosmarrëveshjet midis palëve dhe kjo të bëhet në Parlament. I pyetur se kur mund të hyjë Shqipëria në Bashkimin Europian, Montobio u shpreh se “ne nuk bëjmë parashikime për të ardhmen. Unë jam ambasador që informoj dhe përfaqësoj një shtet, pra shtetin tim”. Sa i takon procesit të liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian, zoti Montobio lëshoi një tjetër mesazh të rëndësishëm për politikën. “Duhet të jeni optimist dhe të angazhuar për të ardhmen tuaj dhe ju duhet të jeni të vetmit aktorë për zhbllokimin e situatës”, u shpreh Montobio. I ndodhur në një nga sallat e pallatit të kulturës “Labëria”, në qytetin e Vlorës, Montobio i dha deklaratat pas mbajtjes së një fjalimi në simpoziumin me temë “Europa ndërmjet meje dhe teje”, organizuar nga Forumi i Vlorës për Dialog Internacional dhe Fate Velaj. Ambasadori Montobio, në fjalën e tij, u ndal në procesin e Barcelonës, me pikënisje vitin 1995, historikun, vlerat dhe rëndësinë që ka ai në krijimin e një hapësire të përbashkët mesdhetare, duke nënvizuar se ai shënoi një kthesë në integrimin europian. Në këndvështrimin e ambasadorit, në mënyrë simbolike, Vlora është një copë tokë hyrëse në zonën e Mesdheut. “Ne jemi të gjithë njësoj, sepse kemi brenda vetes të njëjtin det”, nënvizoi ai. Sipas ambasadorit Montobio, sfida për ta shndërruar Mesdheun në një hapësirë të përbashkët, nuk është bërë evidente siç duhet në histori. Në këtë arsyetim ai shtoi se, procesi dhe vetë Deklarata Barcelonës e vitit 1995, përbëjnë herën e parë kur vendet mesdhetare bëhen pjesëtare të një unioni të përbashkët, në funksion të një ndërtimi europian. “Integrimi europian duhet të nisë përmes Mesdheut, kjo ka rëndësi strategjike për BE-në, sepse është një nga bazat që shërben për civilizimin”, theksoi ambasadori spanjoll. Në këndvështrimin e tij, procesi i Barcelonës shënoi një pikë kthese në integrimin europian, që lidhet me faktin se deklarata e vitit 1995 u nënshkrua nga përfaqësuesit e të gjitha vendeve mesdhetare të BE-së, që është nga ana tjetër një kontratë sociale mesdhetare. “Mesdheu është një hapësirë paqeje dhe stabiliteti, një zonë e rritjes ekonomike dhe prosperiteti dhe një pikë dialogu, tolerance e bashkekzistence”, shtoi më tej ambasadori.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›