E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja çmimet individuale në Kupën e Konfederatave

Suksesi i padiskutueshëm i Brazilit në Kupën e Konfederatave erdhi si rrjedhojë e lojës së mrekullueshme kolektive dhe shpërthimeve të “yjeve” të Selesaos, të cilët dominuan edhe sa u përket çmimeve individuale. Nejmar u shpall futbollisti më i mirë i këtij turneu, duke fituar çmimin e “Topit të Artë”, ndërsa “Topi i Argjendtë” shkoi për mesfushorin e Spanjës, Andres Injesta. Në podium u ngjit edhe mesfushori brazilian Paulinjo, i cili mori çmimin e “Topit të Bronxtë”.

Fernando Torres fitoi “Këpucën e Artë” me 5 gola të shënuar gjithsej, aq sa edhe Fred i Brazilit, vetëm falë minutazhit më të vogël në fushën e blertë. Sulmuesi i Fluminenses, gjithsesi, mund të konsiderohet fituesi moral i këtij trofeu individual, pasi u ka shënuar skuadrave më të forta, 2 herë Spanjës dhe nga nga një herë Italisë, Uruguajit dhe Meksikës. Pas Fred, i cili mori çmimin e “Këpucës së Argjendtë”, vjen Nejmar me “Këpucën e Bronxtë” me katër gola të realizuar në këtë turne.

“Doreza e Artë” e Kupës së Konfederatave u fitua nga portieri i Brazilit, Zhulio Sezar, i cili arriti të priste dy 11-metërsha vendimtar në këtë kompeticion, ndaj Uruguajit dhe Spanjës. Ndërsa formacioni i Del Boskes duhet të kënaqet me çmimin e skuadrës “fair-play”, për lojën korrekte që ka zhvilluar gjatë turneut. Asnjë çmim për italianët, edhe pse ata zunë vendin e tretë.

(er.nu/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›