Ja çfarë ka bërë qeveria e Berishës për 12 rekomandimet e Brukselit
Në Komisionin e Integrimit, ministrja përgjegjëse për këtë punë, Majlinda Bregu, ka bërë me dije se opozita po mban peng integrimin e vendit, pasi nuk është angazhuar në një dialog konstruktiv. Duke ndjekur retorikën e mazhorancës për këtë çështje, të krijohet bindja se integrimi ka mbetur peng i opozitës, e cila nuk po shkon në parlament.
Por cilat janë 12 rekomandimet e BE-së dhe çfarë ka bërë qeveria për to?
Rekomandimi 1 dhe 2 kërkojnë funksionimin e parlamentit dhe miratimin e ligjeve
-Opozita ka deklaruar se do vijojë jetën parlamentare, edhe pse tashmë janë faktuar vjedhjet e zgjedhjeve në dy rastet e fundit. Sa u përket ligjeve, opozita thotë se do votojë ligje të hartuara me konsensus. Si është përgjigjur mazhoranca? Ka votuar një rregullore parlamentare skandaloze, që asfikson opozitën dhe votën e deputetëve.
Rekomandimi 3 kërkon zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe gjyqtarëve të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë
-Këtu po flitet më shumë për Avokatin e Popullit, një institucion pa peshë e i shpërfillur nga pushteti. Sa u përket gjykatave të larta, dihet shumë mirë se mazhoranca po tenton ti uzurpojë ato me njerëz të vet, duke poshtëruar presidentin.
Rekomandimi 4 e 5 kërkon të mbahen zgjedhje sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare dhe realizimin e reformës zgjedhore
-Është shumë e qartë se këto zgjedhje lokale faktuan në mënyrë transparente se si vidhen votat. Vetë raporti i ODIHR tregoi se mandati i Tiranës u vodh nga KQZ e Kolegji, në një skemë tipike mafioze. Sa i përket reformës zgjedhore, ajo kërkon më së pari të zhduket KQZ e Ristanit. Se si do arrihet kjo, nuk dihet.
Rekomandimi 6 kërkon depolitizimin e administratës publike. Kërkohet transparencë në emërime për njerëz që shkojnë në ato detyra për shkak të meritave
-Mjafton të shohësh masakrën që bën Lulzim Basha në bashkinë e Tiranës, për të kuptuar se nuk bëhet fjalë më për transparencë e për profesionalizëm. Vajza e tezes së tij emëron njerëzit, në krye të detyrave shkon gruaja e shoferit, arkitekti i pallatit të paligjshëm në Vlorë, etj.
Rekomandimi 7 kërkon që të forcohet shteti i së drejtës, të rritet pavarësia e gjyqësorit
-Pavarësinë e gjyqësorit po e shohim shumë qartë edhe tek vendimi që do merret për pafajësinë e Ilir Metës. Vrasja e një gjyqtari ka nxjerrë në pah një seri problemesh të tjera. Prokuroria është tulatur dhe nuk lëviz asnjë hap.
Rekomandimi 8 kërkon një regjistër me të dhëna bindëse për luftën ndaj korrupsionit
-Po, e dhëna më bindëse këtë vit është se një drejtor stadiumi është në burg se mori 120 mijë lekë për një ambient me qera.
Rekomandimi 9 kërkon të forcohet lufta kundër krimit të organizuar
-Vetë zonja Bregu mund të kishte dhënë sqarime të forta. Pak ditë më parë doli në gazetën më të madhe në Itali se ministrja është e implikuar në skandal me kreun e organizatës mafioze Sacra Corona Unita.
Rekomandimi 10 kërkon të zgjidhet problemi i pronave
-Për këtë zgjidhje kryeministri ka ofruar vetë djalin e tij, që shërben si sekser për të sheshuar çdo marrëveshje për pronat. Sa i përket legalizimit, ai është kthyer në fole korrupsioni. Duhej të kishte mbaruar nja katër vite më parë, por nuk ka nisur ende mirë.
Rekomandimi 11 kërkon hapa për të mbrojtur të drejtat e njeriut, të grave, fëmijëve dhe romëve
-Për këtë rekomandim mund të pyeten katër protestues të pafajshëm, të cilët dolën përpara kryeministrisë, protestuan dhe u kthyen në shtëpi. Në arkivol. Sa u përket romëve, qeveria po kujdeset tu vërë flakën banesave për të hapur sheshe ndërtimi. I përdor për vota, të cilat ua blen fare lirë. Për të drejtat e grave, nuk mund të ketë barbari më të madhe se vrasjet e grave në këtë vit. Pak ditë më parë u vra një grua në Tiranë, edhe pse duhej të ishte nën mbrojtje. Raste të tjera në Korçë, Pogradec e gjetkë janë tregues të rëndë. Për të drejtat e fëmijëve, mjafton të lexosh dy-tre kabllograme të ambasadës amerikane, publikuar nga Wikileaks për të kuptuar sa rëndë është situata.
Rekomandimi 12 kërkon të përmirësohen kushtet në qelitë e paraburgimit dhe në burgje. Të mos keqtrajtohen të ndaluarit
-Edhe këtë rekomandim qeveria po e zbaton në mënyrë brilante. Sidomos me të ndaluarit që protestuan më 21 janar, rekomandimi është zbatuar tërësisht. Po të lexojnë ata të Komisionit Europian raportin e përgatitur nga Këshilli i Europës për ngjarjet e 21 janarit, do arrijnë në përfundimin se ky rekomandim është plotësuar më së miri. Pa përmendur pastaj që një nga dhunuesit e të ndaluarve është bërë drejtor i policisë bashkiake. Madje nuk po e lë pas dore zanatin e vjetër të dhunimit të të tjerëve. Kësaj radhe e ka me gratë.