E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: Modeli i ri politik që mund të eliminojë krizat

I. Përse Shqipëria gjeneron ngërçe politike ciklike që prej 20 vjetësh?
Gjithnjë e më shpesh po shtrohet pyetja: Përse Shqipëria gjatë këtyre 20 vjetëve futet e del në mënyrë ciklike në kriza/ngërçe politike pas pothuajse të gjitha zgjedhjeve të përgjithshme? Përse krizat vërtiten gjithnjë rreth një aksi me emrat e dy kryetarëve të partive kryesore, pavarësisht se cilët janë ata konkretisht? Përse edhe figura me eksperiencë kanë frikë të kundërshtojnë publikisht drejtuesit në dy partitë kryesore sidomos për dukuri negative që kritikohen edhe nga ndërkombëtarët? Përse dalja e partive të reja ka qenë e vështirë dhe e paqëndrueshme? Përse sjelljet e dy partive kryesore janë të ngjashme, pavarësisht se njëra është e majtë dhe tjetra është e djathtë, njëra ish-komuniste dhe tjetra e formuar vetëm 20 vjet më parë? Përse fituesi fiton gjithçka dhe humbësi humbet gjithçka nga zgjedhjet? Ndodh kështu vetëm në Shqipëri apo kjo dukuri është prezent në përmasa apo forma të ndryshme edhe në vendet e tjera ballkanike? Çduhet bërë për të ndryshuar këtë gjendje pothuajse permanente që eventualisht mund të acarohet më shumë në të ardhmen, për shkak të lidhjeve gjithnjë e më të ngushta midis politikës, biznesit e korrupsionit politiko-financiar dhe medias? Një përgjigje të koncentruar dhe relativisht të plotë e ka dhënë Januszs Bugajski në një paraqitje të tij, në një mbledhje në Uashington, më 1 qershor 2011, kur do të diskutohej çështja e zgjedhjeve të 8 majit dhe kriza politike në Shqipëri. Sipas tij, në mënyrë të përmbledhur arrihet në përfundimin se Shqipëria është (shfaqet) në këtë gjendje ngërçi apo krize politike, për shkak se vuan nga 6 çrregullime të ndërlidhura midis tyre që pengojnë zhvillimet e saj politike, ekonomike e ndërkombëtare dhe mund të fusin vendin në spiralen e një konflikti kombëtar destabilizues.
II. Çrregullimi 1: Politika shqiptare vuan nga bipolarizimi i personalizuar
Në këtë 20 vjet, pavarësisht përpjekjeve të shumë individëve për ti dhënë mundësi mendimit ndryshe brenda dy partive të mëdha dhe/ose për të krijuar forca politike të treta të qëndrueshme (përveç rastit të LSI, që mbetet për tu testuar për sa i përket jetëgjatësisë dhe paksa PDR) bipolarizimi/çrregullimi bipolar politik ka kontribuar më shumë në gjenerimin e përplasjes midis dy poleve në formën e ngërçeve apo krizave politike, sesa ka prodhuar qëndrueshmëri qeverisëse. Kjo ka ndodhur sepse jeta politike në Shqipëri është tejet e personalizuar dhe ka qenë e drejtuar nga drejtues të fortë/autokratikë, që përmes një drejtimi vertikal nga lart-poshtë kanë kufizuar konkurrimin politik brenda dhe ndërmjet partive dhe shmangur publikun të marrë pjesë në vendimmarrje. Edhe ngërçi i fundit është simptomë e këtij realiteti fondamental.
III. Çrregullimi 2: Mungesë e kushteve për konkurrim politik
Përpjekjet për të krijuar parti të treta të qëndrueshme dhe të afta për tu futur në Parlament, kanë hasur në vështirësi, për shkak të mungesës/kufizimit të kushteve të konkurrimit nga dy forcat kryesore politike; veçanërisht kjo ka qenë shumë e vështirë kur këto përpjekje kanë ardhur nga individë brenda dy partive kryesore, për shkak se liderët e dy partive kryesore kanë bërë të pamundurën për të shantazhuar bartësit e mendimit alternativ, kanë bërë diversion apo dekurajuar institucionalizimin e mendimit alternativ apo fraksionizmin, ndërkohë që nga ana tjetër kanë goditur fuqimisht si tradhtarë mbartësit e mendimin alternativ brenda partisë së tyre. Kjo ka bërë që liderët e PS dhe të PD të kontrollojnë jo vetëm shumicën e vendeve në Parlament, por secili prej tyre të kontrollojë edhe grupin e tij parlamentar e forumet partiake, ndonëse mund të ketë pasur individë apo parti shumë të vogla në koalicionet e tyre, të cilët janë qetësuar përmes shpërndarjes së favoreve personale për drejtuesit e tyre. I vetmi faktor king-maker (përcaktues) me efekt real, ndonëse të kufizuar (PD zotëron ekzaktësisht 70 deputetë, pra 50 për qind të vendeve të Kuvendit),  është LSI pas zgjedhjeve të vitit 2009, ndërkohë që në 20 vjet edhe kur kanë ekzistuar individë apo grupe shumë të vogla politike, ata janë trajtuar nga liderët e dy forcave kryesore në shumë si garniturë e shtojca të parrezikshme, pa mundur të kontribuojnë mjaftueshëm në zhvillimin e programeve  politike të përbashkëta për koalicionin apo në forcimin e konkurrimit politik.
IV. Çrregullimi 3: Konkurrimi politik nuk ka karakter ideologjik
Konflikti që ka prodhuar në këto 20 vjet ngërçet apo krizat politike, përfshi edhe këtë të fundit nuk ka qenë asnjëherë me natyrë ideologjike, por as edhe parimore, siç ka pasur përpjekje për tu shitur nga dy liderët kryesorë për publikun vendës dhe tek partnerët ndërkombëtarë. Grindjet dhe sherret politike shqiptare midis dy partive apo, më saktë midis dy drejtuesve të partive kryesore, nuk kanë ardhur as nga diferencat e programeve, as të ideologjive partiake. Në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin, nocionet e së majtës, të qendrës dhe të djathtës janë pas asnjë lloj kuptimi; dallimet partiake e kanë bazën në besnikërinë dhe mbështetjen ndaj liderit, të cilat më tej përvijohen si dallime të dy kampeve që përjashtojnë njëri- tjetrin reciprokisht.
V. Çrregullimi 4: Klientelizmi i rrënjosur thellë në strukturën politike
Klientelizmi apo servilizmi politik është shumë i zhvilluar gjatë këtyre 20 viteve, në mënyrë të ngjashme në të gjitha vendet e Ballkanit. Ai bazohet në një sistem të deformuar të rekrutimit të zyrtarëve partiakë e shtetërorë (kur partia është në pushtet), në favoret që u ofrohen mbështetësve të partisë dhe veçanërisht drejtuesit të partisë dhe në korrupsionin partiak e shtetëror (kur partia është në pushtet) të të gjitha niveleve. Klientelizmi (servilizmi politik e partiak) është rrënjosur thellë në strukturën politike në Shqipëri dhe në të gjithë vendet e rajonit. Ky çrregullim minon konkurrimin politik të bazuar në kontributet, profesionalizimin dhe meritat, duke deformuar sistemin e karrierës dhe sistemin e motivimit të bazuar në hierarkinë e vlerave, kontributeve dhe kapaciteteve. Kjo do të thotë gjithashtu se zyra partiake apo pozicioni i drejtuesit partiak përbën një aktivitet fitimprurës dhe humbja e saj shoqërohet me humbjen e këtyre favoreve dhe prandaj bëhet rezistencë për të mos e lëshuar atë dhe sajuar alibi të shumta, për të qëndruar në krye të partisë, derisa kundërshtari të lodhet e humbasë zgjedhjet.
VI. Çrregullimi 5:  Kultura politike e shumatores zero
Kultura politike e shumatores zero ka qenë tipike gjithashtu për këto 20 vjet; kjo do të thotë, nëse njëri fiton gjithçka,  tjetri me siguri humbet gjithçka, pra ka vetëm fitues të qartë dhe humbës të qartë dhe, kur rezultati është i ngushtë, pala humbëse nuk e njeh rezultatin dhe angazhohet në veprime që mund të përfundojnë deri në konflikte të dhunshme. Kjo vjen ngaqë në çdo zgjedhje palët përgatiten ose vetëm për të fituar, ose për të mos njohur humbjen. Kjo pengon palët që të angazhohen në dialog dhe kompromise, sepse nuk ka asnjë pikë takimi që të mund të aplikohet modeli win-win apo fitues-fitues. Madje gjithnjë ekziston rreziku që sherret për zbatimin apo interpretimet e Kodit Zgjedhor të përshkallëzohen në konflikt të hapur.
VII. Çrregullimi  6: Revanshi politik ose përsëritja e precedentit
Politika shqiptare vuan gjithashtu edhe nga sindromi i revanshit/hakmarrjes politike, që do të thotë se nëse ju do të kontestoni fitoren time në zgjedhje, unë do të kontestoj herën tjetër fitoren tuaj po në zgjedhje, madje më egërsisht. Mbi këtë bazë përsëriten nga dy të palët në formë ciklike bojkotet, protestat publike kundër rezultatit zgjedhor, deri edhe aplikimi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›