E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Prokuroria të marrë të pandehur Rulin. Kreu i PS uron Malajn e Bellon për ditëlindje

Në fjalën e mbajtur përpara grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryetari Edi Rama tha se prokuroria duhet të marrë të pandehur ish- ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli. Rama foli për padinë e Genc Rulit ndaj deputetit të PS, Sajmir Tahiri, për shpifje, pas akuzave për afera me minierën e Bulqizës.

Ajo që po ndodh me minatorët e Bulqizës është kriminale. Minatorët po trajtohen si skllevër. Padia patetike e Rulit ndaj Tahirit është një dëshmi e gjendjes dëshpëruese në vend, ku tipa si ai, të zhytur deri në fund, kërkojnë të kthehen nga të akuzuar, në akuzues. Dhe nuk kanë faj kur prokuroria nuk reagon ndaj provave ulëritëse, siç është rasti i Bulqizës, tha Rama. Kreu i PS u shpreh se Ruli ka marrë atributet e Kuvendit duke i zgjatur e modifikuar kontratën koncensionare firmës ACR.

I bëjmë thirrje prokurorisë të marrë të pandehur ish- ministrin e Ekonomisë, u shpreh Rama.

Së dyti, Rama tha se PS do bëjë propozimet për funksionimin normal të parlamentit.

Së dyti, depozitimi i kërkesës sonë për reformimin e parlamentit, duhet pasuar me një hap të dytë, për një reformë të thellë të jetës parlamentare. Funksionimi normal dhe rimodelimi i funksionit të parlamentit, është një prioritet i BE-së dhe ne do ta bëjmë të plotë këtë detyrë. Kundërshtimi i spikeres së parlamentit, pa e pasur ende në dorë kërkesën tonë, nuk lë vend për optimizëm, tha Rama duke shtuar se Topalli është pengesë për funksionimin e parlamentit, siç ka treguar edhe raporti i progresit, i Komisionit Europian.

Rama tha se në Kuvend do të depozitohet kërkesa për heqjen e TVSH për ushqimet e ilaçet.

Ai u shpreh se PS do mbajë qëndrim kundër vendimit për të importuar plehra të rrezikshme në vendin tonë, duke shtuar se do importohen mbetje radioaktive.

Oborri i Saliut po hap rrugën për përfitime marramendëse, tha Rama.

Kreu i PS deklaroi se së shpejti do shpallet vizioni i PS për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave.

Interpelanca me Ministrin e Shëndetësisë do kompletojë punën tonë. Një nga krerët më të korruptuar të qeverisë do japë përgjigje, tha Rama.

Në fund, ai u ka uruar ditëlindjen dy deputetëve të PS, Marko Bello dhe Arben Malaj, të njohur si pjesë e një grupimi për mendim ndryshe.

Uroj dy deputetët tanë, Marko Bello dhe Arban Malaj, gëzuar 50 vjetorin e lindjes dhe 50 të tjera me shëndet, lumturi, fat dhe suksese në detyrat ndaj familjes së tyre dhe ndaj familjes sonë politike, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›