Ja çfarë përmban i shumëpërfoluri Kodi Etik Ministror
Është publikuar nga kryeministria Kodi Etik Ministror, që është një vendim që ka ngritur shumë debate.
Kodi përmban 40 nene dhe përcakton rregullat e etikës për çdo anëtar të Këshillit të Ministrave, që nga marrëdhëniet me mediat e deri tek përdorimi i makinës zyrtare.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, do ngrihet një Komision i Etikës për zbatimin e tij.
Më poshtë është teksti i plotë.
KODI ETIK MINISTROR
Preambul
Qeveritarët përballen çdo ditë me vendime, të cilat, përveç aspektit ligjor, kanë edhe implikime etike e morale, si edhe kanë të bëjnë me çështje që kanë një interes të lartë publik. Publiku kërkon një qeveri me vendimmarrje të ligjshme, shërbim cilësor dhe që është i hapur, i aksesueshëm dhe i drejtuar si duhet. E shkuara ka dëshmuar për një cenim të rëndë të marrëdhënies së besimit ndërmjet qeveritarëve dhe qytetarëve. Për rivendosjen e besimit te sistemi ynë politik, nëpërmjet rikthimit të besimit publik në integritetin e qeverisë, hartohet ky Kod Etik, i cili është konceptuar si një mjet për të nxitur përmirësimin e vazhdueshëm të qëndrimeve dhe sjelljeve drejt standardeve më të larta të drejtimit dhe ridimensionimin e moralitetit të zakonshëm në sferën e çështjeve qeveritare.
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Kodi ka për qëllim të përcaktojë rregullat e etikës, që do të garantojnë një sjellje të anëtarit të Këshillit të Ministrave në ushtrimin e funksionit të tij si anëtar i organit kolegjial apo si organ individual, si dhe në cilësinë e tij personale, në përputhje me interesin e ligjshëm publik dhe me programin e qeverisë.
Neni 2
Fusha e veprimit
Rregullat etike të këtij Kodi janë të detyrueshme për tu zbatuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave.
Neni 3
Parime të përgjithshme
1. Parimi i ligjshmërisë. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të zbatojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe legjislacionin e brendshëm, në përputhje me kompetencat që ai mbulon dhe, sipas rastit, si pjesë e vendimmarrjes në organin kolegjial apo individual.
2. Parimi i besueshmërisë dhe solidarësisë. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të respektojë vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të ofrojë mbështetjen e tij në publik për të gjitha vendimet e qeverisë, pavarësisht nëse ai ka marrë pjesë ose jo në mbledhje apo nëse ka votuar pro ose kundër këtij akti.
3. Parimi i mosdiskriminimit. Anëtari i Këshillit të Ministrave, gjatë ushtrimit të funksionit, me veprimet ose mosveprimet e tij, nuk duhet të favorizojë apo të diskriminojë një subjekt të caktuar për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjes politike, fetare ose filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzanisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes civile, vendbanimit, gjendjes shëndetësore, predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë ose për ndonjë shkak tjetër të ngjashëm.
4. Mosabuzimi me funksionin. Anëtari i Këshillit të Ministrave e ushtron funksionin dhe kompetencat e tij vetëm për qëllimin që ato i janë dhënë nga legjislacioni në fuqi. Ai duhet të shmangë përdorimin e funksionit të tij për qëllime, të cilat nuk kanë bazë ligjore apo nuk janë të motivuara nga ndonjë interes publik.
5. Paanshmëria, ndershmëria dhe pavarësia. Anëtari i Këshillit të Ministrave në ushtrimin e funksionit të tij duhet të jetë i paanshëm, i drejtë, i arsyeshëm dhe i pavarur. Ai duhet të shmangë çdo veprim, mosveprim arbitrar apo çdo trajtim preferencial, si dhe të jetë i pandikuar nga çdo interes tjetër, personal, politik, familjar dhe shoqëror.
6. Objektiviteti. Anëtari i Këshillit të Ministrave, gjatë ushtrimit të funksionit të tij, duhet të marrë në konsideratë faktorët përkatës dhe ti japë secilit prej tyre peshën e duhur në qëndrimin përfundimtar, duke përjashtuar çdo element që nuk i përgjigjet procesit konkret të punës.
7. Transparenca dhe llogaridhënia. Anëtari i Këshillit të Ministrave, nëse e kërkon interesi publik dhe kur kjo nuk është në kundërshtim me ligjin, informon dhe përgjigjet kur është rasti për të gjithë veprimtarinë e tij si funksionar publik.
8. Konflikti i interesit. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të parandalojë, si dhe të marrë të gjitha masat për ndërprerjen e gjendjes së konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave të tij privatë.
KREU II
MBLEDHJET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Neni 4
Garantimi i paanshmërisë
1. Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin dhe vendimmarrjen një çështjeje nëse ka interes personal ndaj saj ose, në çdo rast tjetër, kur vërtetohen arsye serioze njëanshmërie.
2. Nëse për anëtarin e Këshillit të Ministrave konstatohet njëri nga rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, duhet të ndiqet procedura e përcaktuar në nenin 18, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, dhe në ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, të ndryshuar.
Neni 5
Shfaqja e mendimit, konfidencialiteti dhe solidariteti
1. Për çështje të rëndësishme, ku gjen zbatim parimi i besueshmërisë dhe solidarësisë, çdo anëtar i Këshillit të Ministrave ka të drejtë të shprehë lirisht mendimin dhe pikëpamjet e veta dhe të ushtrojë të drejtën e votës për projektaktet, objekt shqyrtimi.
2. Anëtari i Këshillit të Ministrave, pas marrjes së vendimit duhet të shmangë në publik çdo shprehje mospajtimi dhe të mbrojë ose të përkrahë vendimet e arritura