Ja dokumentet si qeveria socialiste pagoi në mënyrë rrufe dëmshpërblimin për kanibalët politikë të Bllokut

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri në një deklaratë për mediat ka sqaruar përmes dokumenteve dhe fakteve se dëmshpërblimi i persekutorëve komunistë ndaj ish-të përndjekurve dhe të burgosurve politikë është bërë nga ish-qeveria Majko dhe jo nga Prokuroria siç mashtron njeriu i Edi Ramës
Partia Demokratike rr ëzon argumentet e selisë rozë, se persekutorët e regjimit të egër komunist u dëmshpërblyen nga Prokuroria e Përgjithshme dhe jo nga ekzekutivi, gjatë kohës së qeverisjes socialiste.
Përmes një deklarate për mediat deputeti demokrat Genti Strazimiri publikoi disa dokumente me vendime gjykatash të asaj periudhe, të cilat sipas tij flasin qartë se dëmshpërblimi i tyre u bë nga Ministria e Financave e ish kryeministrit Majko dhe jo me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme siç deklaron PS.
“Përsekutorët gjatë qeverisjes socialiste kanë marrë pafajësinë në një kohë rekord nga gjykatat dhe janë dëmshpërblyer për vitet e burgut. Janë disa vendime të gjykatës që dëmshpërblejnë persekutorët. Këtu kemi paditje të Ministrisë së Financave, jo të Prokurorisë së Përgjithshme. Siç e shihni gjithçka kemi thënë është e vërtetë, e provojnë dokumentet e tyre. Kjo dëshmon se gjatë periudhës që Majko ka qenë kryeministër ka qenë Ministria e tij e Financave që ka dëmshpërblyer persekutorët dhe jo Prokuroria. Zoti Pandeli Majko, dy herë Kryeministër i Partisë Socialiste luajti rolin e “Pal Vatës” kur deklaroi se, “është Prokuroria e Përgjithshme dhe jo qeveria e tij”, ajo që ka dëmshpërblyer disa nga eksponentët e regjimit komunist. Më duhet t’i bëj me dije opinionit publik se ky pretendim është i vërtetë, aq sa pretendimi i Pal Vatës kur thoshte se, “do e ketë bërë Mehmeti me kokë të vet, se unë dhe Enveri s’dimë gjë...”. Së pari, në asnjë sistem demokratik apo totalitar, organi i akuzës nuk shpërndan fonde për askënd që ka fituar një gjyq. Së dyti, i vetmi organ përgjegjës për këtë veprim në Republikën e Shqipërisë është Këshilli i Ministrave. Së treti, është qeveria e Pandeli Majkos, specifikisht Ministria e Financave e paditur në gjyq nga kanibalët e dëmshpërblyer për “burgim të padrejtë” e që nuk u përfaqësua në asnjë seancë gjyqësore. Me një korrektesë që nuk e karakterizon, qeveria e zotit Majko, e jo Prokuroria e Përgjithshme, ka paguar në mënyrë rrufe të gjithë kanibalet me para në dorë”, tha ai, ndërsa p ër ilustrim paraqiti dy kopje (faksimilet) e vendimit të ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Zylyftar Ramizi dhe prokurorit famëkeq, Arianit Çela.
Ndërkohë, Strazimiri theksoi se deputetët e PS-s ë kanë një borxh personal të lënë nga baballarët e tyre përkundrejt shtresës së ish të burgosurve politikë, ndërsa sot po tentojnë të përbaltin kauzën e tyre.
“Gjatë interpelancës së dy ministrave Halimi dhe Bode u dha informacion i detajuar dhe dolën pikat kryesore të kësaj maskarade që po dirigjohet nga Edi Rama në ato çadra. Deputetët e PS kanë një borxh personal të lënë nga baballarët e tyre në drejtim të shtresës së ish të përndjekurve. Fakti se po përpiqen të ndyjnë kauzën e tyre, duke vendosur çadra në rrugë tregon se kemi hyrë në fazën e dytë të makabritetit, ku po tentojnë ta kthejnë në një kauzë pa parime, pa ndjenja, një kauzë paresh. Është një strategji që s’u ecën, po shkruajnë faqen e turpit të historisë së partisë së tyre dhe historisë së Shqipërisë”, theksoi deputeti i PD-së, Strazimiri.
Në përfundim ai shprehu vendosmërinë e PD-së, si promotori i lirimit të tyre nga burgjet, për respektimin dhe ndalimin e përbaltjes së shtresës së ish të përndjekurve politikë.