E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja ligjet e rëndësishme që pritet të miratohen

12-09-2011 / Gazeta 55

Post-rikthimi i opozitës në Kuvend

Rikthimi i opozitës në parlament ka bërë që edhe axhenda e tre javëve të para të punimeve të sesionit të ri kuvendor të jetë e ngjeshur, sidomos me ligjet që kërkojnë 3/5 e votave për t’u miratuar. Ndonëse në Konferencën e kryetarëve, palët miratuan me konsensus të gjerë kalendarin e punimeve për tre javët në vijim duket se fryma që do të udhëheqë opozitën për rishqyrtimin e këtyre nismave nuk do të mbizotërohet nga konsensusi.
Vetëm një ditë më parë nënkryetarja e grupit kuvendor socialist, Vasilika Hysi deklaroi se Partia Socialiste përmes deputetëve të saj do të kërkojë kalimin në ekspertizë të të gjitha ligjeve. Hysi iu referua Gjykatës Administrative, një ligj që zvarritet nëpër sirtarët e kuvendit për më shumë se dy vjet si pasojë e bojkotit të opozitës dhe për hartimin e tij është marrë vlerësimi i ekspertëve të OECD-së në Komisionin e Ligjeve, si dhe janë përfshirë një sërë prej propozimeve të bëra nga ekspertë e Oralusit , SIGMA dhe USAID, misione të huaja këto që asistojnë drejtësinë Shqiptare.
I pari ligj që kërkon dhe konsensusin e socialistëve do të kalojë këtë të hënë. Bëhet fjalë për Kodin Doganor. Të tjera nisma ligjore për të cilat opozita ka kërkuar të rikthehen për rishqyrtim në Komisionet parlamentare janë dhe Kodi Detar, ai Ajror e Civil, Kodi Hekurudhor dhe ai Rrugor. Por do të jetë seanca plenare e së martës ajo që do të vendosë për rikthimin e këtyre ligjeve nëpër komisione të miratuara më parë pa opozitën.
Ajo që duket qartazi me nisjen e sesionit parlamentar të vjeshtës është se opozita nuk do të pranojë ftesën e bërë nga kryeministri Berisha një javë më parë për të miratuar me konsensus ligjin për kufizimin e imunitetit të deputetëve.
Sipas socialistëve dhënia jetë e kësaj nisme duhet bërë vetëm përmes ndërhyrjes në ligjin themelor të shtetit. Ndaj nisur nga kjo qasje dhe mungesa e sinjaleve për nisjen sa më parë nga puna për reformën zgjedhore duket se sërish opozita do të mbetët larg frymës së bashkëpunimit dhe klimës për vendosjen e një dialogu konstruktiv me mazhorancën në përmbushjen e të gjitha angazhimeve për integrimin e vendit në familjen Evropiane.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›