Ja na iku viti i ri
Jemi pak me vonesë, por jemi përsëri këtu me ju. Gëzuar vitin e ri të gjithëve, edhe atyre që me 31 dhjetor u gëzuan pa masë, që janë dëfryer duke u dehur me alkool 24 karat, ju lumtë edhe atyre që lëshuan ndonjë fishekzjarr, predhë, fishek a kapsolla 200 leksh komshiut për të konfirmuar se kriza financiare nuk ekziston, po ashtu gëzuar atyre që ishin nën deluvion nga baticat dhe shiu pa pushim. Për kronikë, mos u trembeni, asgjë nuk ka ndryshuar.Ndërkohë pesë ditë pas ndërrimit të viteve, Tirana është po e njëjta e sulmuar nga batalione plehrash mikrobike, ku është akoma pluhuri që të ngjitet si mastic, dhe kafja të behet më e hidhur qysh në mëngjes. Kështu që në fillim viti metropoli i kombit ngjan më shumë me një kantieri që nuk mbaron kurrë, sesa me një Tirane të bukur, europiane, apo franceze, nga ku pritet mrekullia sipas huazimit allasoj të modelit për planin urbanistik.E megjithatë Viti i Ri në Tiranë është i bukur, pasi pas orës 12 mund të dilje në qendër dhe të thithje i përmalluar erën e djegur të eksplozivëve kineze a vietnamezë, dhe të bllokosh veshët nga zhurmat shurdhuese alla-97-she, që veçse në Shqipëri njerëzit e kanë nostalgji barutin.Ndarja mes vit të shkuar dhe viti të ri në Tiranë nuk ishte kaq blozë safi, pasi në foletë e shtëpive gjalloi me kujtime dhe me shpresë për një të ardhme më të mirë 2010-a. Urime pati plot, si gjithmonë dëshira me shumicë, edhe grosistët e mashtrimeve shyqyr pushuan për ca ditë. Mediet bardhezi në përgjithësi u rikarikuan për një vit plot punë sheqerosje dhe baltosje. Politika është ajo që është, retorika është: “kur u ndanë këto na ranë”.Mënyra konvencionale e celebrimit me fishekzjarrë, bakllava dhe drita artificiale që stolisën tërthorazi institucionet, lokalet, shtëpitë, kullat dhe pemët prapësuan edhe këtë vit deri në fushatën e ardhshme festive, që përsëritet pa dyshim çdo vit. Ndarja midis kohës “profane” të të punuarit çdo ditë nga ajo e sigluar laikisht si e “shenjtë” u kuptua më shumë nga mosshkuarja në punë e administratës shtetërore. Edhe i famshmi korrupsion ndaloi gjakpirjen strategjike në këto ditë.Mirëpo rutina ushtarake e fundvitit mes fishekzjarrëve, kapsolla, shashka, kallashëve në veçse të rikujton disa bazamente të shoqërisë shqiptare, ku mbisundon më shumë instinkti sesa arsyeja, më tepër mjegulla prej baruti të djegur sesa aroma e pastër, tej mase decibeli i borive sesa paqja me natyrën, ku konturohet konsumit kompulsiv i ushqimeve. Nuk është pak me thënë se materializmi është i vetmi standard evropian që mbizotëron ndërshqiptarë. Sidoqoftë kur ka festë dhe ditë pushimi dhe këto shoqërohen edhe me ndonjë bonus të afrimit shoqëror midis njerëzve, me vizita reciproke, me urime të kodifikuara, dhe mesazhe fosile shabllon për një zanafillë të re.Kuptohet vetiu se kryeqyteti i Shqipërisë gjatë festave tregoi më shumë se kurrë provincialitetin që ka kapluar të gjitha anekset e saj kulturore dhe sociale. Sa për kronikë në Tiranë fryma festive megjithë cirkun ambulant në ish-sheshin e Enverit, nuk u ndjeh edhe aq shumë. Ishin vendosur shumë drita mbi Ministritë, por dukeshin të varfra, ca rreshta s’ndizen e ngjasonin ndonjëherë si dhëmbë të thyer. Në kurriz të Skënderbeut ishte ngritur një bredh jo fort i këndshëm, që sinjalizonte simbolikën e rënies në gropë të bashkisë së Tiranës. Qëllimi i tyre pa shprehur se vendi është në krizë bëri që të mos investohej asnjë lek në krijimin e një atmosfere festive siç ndodh në çdo vend normal të botës. Njerëzit me ngut arritën të improvizonin një stratosferë festive.Ndërsa gjatë festave si gjithmonë Tirana pushtohet nga plehrat. Në qendër të Tiranë është instaluar me qëllim një kaos apokaliptik, ku ka më shumë mundësi që edhe Kabuli të jetë më i pastër, si kryeqyteti Tiranës. Madje në çdo rrugë, lagje apo zonë të banuar ku ka konsum është e vështirë të dallosh kazan të mbushur plot e përplot me plehra të cilat nuk kujtohet askush t’i pastrojë. Këto plehra demonstrojnë jo vetën një jo kulturim të qytetarëve, por edhe një papërgjegjshmëri kolosale të administruesve të bashkisë....