E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refleksionet e fundvitit

Brukseli e festoi Krishtlindjen me dëborë. Po ashtu edhe natën e ndërrimit të viteve. Për banorët e kryeqytetit belg, dëbora e funddhjetorit ishte njëherësh rikthim në rrjedhën e zakonshme të ecurisë klimatike, në kapërcyell të ndërrimit të stinëve, pas gjithë atyre dimrave të ngrohtë dhe të shpëlarë nga shirat. Ditën e parë të Vitit të Ri, 2010, Instituti Mbretëror Meteorologjik njoftonte se gjatë dhjetorit, klima në Belgjikë kishte hyrë në parametrat e regjistruar vite e vite me radhë. Gjithçka sivjet hyri në rrjedhën normale, siç rrjedh vetë jeta në këto vise të bekuara të hapësirave Veriatlantike. Belgët u ndjenë të kënaqur, me gjithë vështirësitë e qarkullimit që shkaktuan ndonjëherë dëborërat, të cilat zunë njëra-tjetrën, për shkak të ngricave dhe të temperaturave të ulëta nën zero. Përveç pemëve festive plot drita e lajlelule, të vendosura në çdo shesh të Brukselit dhe të qyteteve të tjera, deri në qendrat më të vogla të banimit, pemët e panumërta të parqeve i kishte veshur natyra, ashtu siç di ajo të zbukurojë me bardhësinë dimërore. Këtu ku banoj, në Gansoren, një nga komunat më të vogla të kryeqytetit belg, nuk ka mbetur rrethrrotullim rruge pa një pemë artificiale plot drita e girlanda që ke dëshirë vetëm t’i soditësh pa mundur ta gjesh dot nëse e ke parë tjetërkund të njëjtën fantazi zbukurimi ose jo. Lëre, pastaj, kur syri të mbetet në teknikat e reja të sajesave pamore me girlanda gjithnjë e më të reja, më të veçanta. Këtu, përballë, një flok dëbore xixëlluese që shkëputet nga errësira, drejt një peme. Aty, përtej, një vrapim xixëllonjash që bredhin të zënë njëra-tjetrën e nuk e zënë dot. Bredhin xixëllonjat herë në një drejtim, herë në tjetrin... I njëjti  perceptim feste në të nëntëmbëdhjetë komunat e Brukselit, thua se ato janë në garë njëra me tjetrën, cila do t’ia kalojë shoqes në krijimin e mjedisit festiv, cila do t’i kënaqë më tepër banorët e vet.Të zgjatesha më tepër që ta përshkruaja atë çka ndjen njeriu në këtë mjedis festiv sa të këndshëm, aq edhe mahnitës, do të më dukej tepër meskine. Edhe në Tiranë, edhe në Kavajë, edhe në Vlorë e gjetkë e gjetkë e kemi festuar atë çka asohere, në kohën e humbur shqiptare, i thoshim Festa e Vitit të Ri. Ishte e bukur sepse përmblidhte edhe të ndaluarat, Krishtlindjen ose Bajramin, kur ky qëllonte në mjedisin kohor të ndërrimit të viteve. Por ishte edhe e dhimbshme, kur nuk i përmendnim dot ato dy festa të bekuara fetare që, përpos paqes dhe vëllazërimit, nuk kishin asnjë qëllim tjetër. Ishte e bukur, sepse bakllavaja bëhej për Bajram dhe amvisat i thoshin furrtarit se e kishin për Vit të Ri. Ishte e bukur, sepse Kristoja ose Vasili, ta zëmë, festonin ditën e tyre të emrit, kinse festonin Vitin e Ri. Por ishte e dhimbshme, madje tepër-tepër e dhimbshme, kur racionin e gjalpit ose të sheqerit, të mishit ose të vezëve, amvisat ua hiqnin nga goja fëmijëve dhe e linin mënjanë për Vit të Ri. Ishte e dhimbshme kur, për një gjel deti, kryetari i familjes fillonte e mendohej qysh në mes të nëntorit. Besniku, ish kolegu im arsimtar në Kryezi të Kavajës, ndërsa i urova parmbrëmë Festën me telefon, më tha me shaka: “Përgjegjësi i Sektorit e dha razinë të marrim edhe ne, arsimtarët, nga një gjel. Ty ta kam hequr mënjanë një pikalosh këmbëgjatë...”ç’na i kujton këto? – do të thotë ndokush. - Të shkuara, të harruara. ç’vlerë kanë tashmë, që ajo kohë ka marrë fund?Jo! Kujtesa është tharmi i së ardhmes. Mirë unë e ti, që e jetuam atë kohë dhe e shkuam jetën dëm. Po mbesa ime njëzetvjeçare, po nipi yt, mbase më i ri, si do ta njohin atë kohë? Pa kujtesë, njeriu është i verbër, nuk sheh ku shkel, pa vjen një ditë dhe nuk dihet në ç’humnerë përfundon. Madje, ndonëse me të vërtet ia  kthyem krahët asaj kohe, kjo nuk do të thotë se rreziku i merimangës më të madhe që ka njohur njerëzimi, asaj me emrin “komunizëm”, ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Komunizmi u ngjan qenieve mitologjike, i ngjan magjistricës Circe, joshjeve të së cilës Uliksi mundi t’u shpëtonte vetëm pasi u zuri veshët shokëve të tij të udhëtimit dhe i urdhëroi ta lidhnin atë vetë pas shtyllës së anijes. Po mbesën time, po nipin tënd, kush do t’i shpëtojë ndaj joshjeve mashtruese të komunizmit? Nuk ia vlen t’u zëmë veshët e t’u lidhim sytë. Kohët kanë ndryshuar. Ato kërkojnë nga unë e nga ti, t’ua hapim sytë, t’ua pastrojmë veshët. Përndryshe, të keqen e kanë pas veshi. Circetë e asaj partie e cila duhet të ishte në krye të përpjekjeve për të reformuar vendin me qëllim drejtpeshimin mes Shqipërisë dhe  vendeve të tjera të botës demokratike, Circetë që kanë zaptuar Bashkinë Tiranës për ta prishur drejtpeshimin në kahen e kohës komuniste, sot janë shumë herë më të rrezikshme se magjistrica e mitologjisë. Ata dinë t’ua shkulin gëzimin e qytetarëve të Tiranës me një të shkulur të pemëve festive, ashtu siç ua shkuli shqiptarëve paraardhësi i tyre ogurzi festat e shenjta fetare. Por ata dinë të organizojnë orgji festive në Pezë, në përkujtim të bëmave të baballarëve të tyre shpirtërorë. Dhe, mos harro, orgjia ua kalon melodive të ëmbla të Circesë. I riu, si veriu, priret më shpejt ndaj orgjisë dhe vesit, sesa ndaj rregullit dhe virtytit.Ndaj u bëra paksa egoist sot, duke sjellë përballë Tiranës së lënë në mëshirën e netëve dimërore, Brukselin e ndritshëm, i cili shkëlqeu dyfish nën dritat shumëngjyrëshe të mijëra fishekzjarrëve lëshuar sivjet nga qendra historiko-kulturore Mali i Arteve, mu në zemër të Kryeqytetit.Të më falësh, i nderuar lexues, që m’u desh t’i kthehem sërish Brukselit në festë. Nuk mund të bëj ndryshe, kur mendoj se bashkëqytetarët e mi në Tiranë, u lanë ta organizojnë festën secili sipas mënyrës së vet, sipas mundësive të veta. Jo se këtu nuk u bënë festa familjare, madje ato ishin të panumërta. Por sepse këtu, pas darkës familjare, ata që dëshironin mund të mblidheshin me mijëra në qendra të ndryshme për të ndjekur evenimentin e fundit të vitit përmes spektaklesh muzikore nga më të bukurat. Si çdo vit, edhe sivjet  buçitën Sheshi Mbretëror, Sheshi i Albertinëve, Bulevardi i Perandorit etj. Në qendrën historiko-kulturore që mban emrin Mali i Arteve, fishekzjarrë të panumërt u lëshuan në çastet e hyrjes së Vitit të Ri. Por festa kishte nisur qysh dy orë përpara. Duke shijuar “verë të nxehtë”, një specialitet i përshtatshëm për ditën e ftohta të dimrit kur njeriu është në mjedise të hapura, njerëzit shijuan edhe koncertin me muzikë të viteve ’80. Në ekrane televizive të përmasave të mëdha, ata patën rastin të ndjekin pamje nga Muri i Berlinit, sepse tema e festës sivjet ishte për të nderuar njëzetvjetorin e rënies së murit famëkeq. Dhe të mos harrojmë, brukselasit nuk pësuan atë çka pësua tiranasit, a korçarët, a shkodranët nga ngritja e atij muri. Por kujtesa është jo çka bën historinë. Përndryshe nuk do të kishte histori. Dhe rënia e Murit të Berlinit është pjesë e historisë së shekullit që lamë pas, këtu e dhjetë vjet përpara. Ndërsa ndiqja spektaklin, pyesja veten: A do t’i ketë shkuar mendja ndonjëherë kreut famëkeq të opozitës së sotme në Shqipëri për këtë copë historie që ai vetë e ka përjetuar jo më pak se ti e se unë? Edhe mundet!... Kjo ishte përgjigjja ime, ndonëse me një pikëçuditje dhe me një retiçencë pas. Le të shpjegohem. Nuk e kam fjalën në atë çka simbolizon rënia e Murit. Rënia ka  vlerat e saj madhore të pakrahasueshme historike, politike, gjeopolitike, ideore, kulturore, financiare... Por rënia solli edhe hapjen e botës perëndimore përpara syve të shqiptarëve, çka, për fat të keq, shumëkush e kundroi atë shtrembër, madje mbrapsht fare. A nuk e pamë Edi Ramën lakuriq në një plazh publik, ashtu siç e pati bërë e ëma? Nuk na zhgënjeu Edi, do të thoshte asohere një nga ndjekëset e tij të përbetuara. Shaka, shaka, por shakaja është gjysma e së vërtetës. Një Edi Ramë i ri, do të titullonte ditë më parë shkrimin e vet gazeta transzhener, i cila kishte vjellë një pambarim të zezash për kryetarin e bashkisë më të madhe të vendit. Ja përse unë u përpoqa të gjeja Edin e Ri, ndërsa ndiqja të nesërmen kronika nga festimet e Vitit të Ri nëpër botë. Sepse kishte edhe pamje të atilla që i shkonin përshtat liderit të sotëm të opozitës në Shqipëri. Nja 300 të marrë, burra e gra lakuriq, tëpkë si Edi Rama, i pashë të laheshin në ujërat e akullta të lumit që përshkonte qytetin e tyre. Asisoj, ajo farë marrëzie ishte larja e fundit për vitin që sapo lamë pas krahësh. Kureshtar, u përpoqa të gjeja edhe Edi Ramën mes asaj turme që të kallte krupën. Po, çne. Atij, mbase,  do t’ia kishte pasur ënda më mirë të ngrohte prapanicat diku në ndonjë zjarr partizan në Pezën e orgjive, sesa, qoftë larg, të merrte ndonjë të ftohur dhe të mbeteshin kutitë pa u hapur......

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›