E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti në këmbë, premton kompesim për dëmet e shkaktuara nga përmbytja

Shtabet e Emergjencave dhe forcat e ushtrisë mbeten të angazhuara për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga fatkeqësia natyrore e baticës detare, e kombinuar me prurjet rekord të lumenjve, Drin, Bunë e Mat. Kryeministri Berisha po mbikëqyr vetë operacionet e ndihmës, ndërkohë që premtohet një plan kombëtar për agjinaturat detare si dhe ndihmë për popullsitë e dëmtuara nga përmbytjaPërmbytjet e shkaktuara në Lezhë dhe Shkodër të ardhura si pasojë e ngrohjes globale ka ngritur në këmbë të gjitha strukturat shtetërore ka bërë që ato të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme dhe të jenë në dispozicion të qytetarëve për çdo lloj nevoje. Situata në rrethinat e Shkodrës është përmirësuar ndjeshëm përgjatë orëve të fundit, si pasojë e masave të marra nga Shtabet e Emergjencave por dhe të ndalimit të reshjeve të shiut në disa zona dhe rënia e dëborës në shumë zona të tjera. Nga ana e saj qeveria e zotit Berisha ka shprehur angazhimin e saj për të qenë sa më pranë banorëve me qëllim që ata të mos rrezikohen nga përmbytjet të cilët mund të vijnë si pësojë e reshjeve të vazhdueshëm të shiut që pritet sipas sinoptikanëve të vazhdojnë por dhe hapjes së detyrueshme të portave. Jo vetëm që është garantuar dëmshpërblimi i çdo lloj dëmi, por janë marrë dhe masat për sistemimin e tyre të përkohshëm derisa situata të kthehet në gjendjen normale. Krerët më të lartë të shtetit si kryeministri Berisha, Kryeparlamentarja Topalli. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i Mbrojtjes Arben Imami apo dhe ai i Ekonomisë Dritan Prifti si dhe krerët e KESH dhe OST si dhe i Policisë së Shtetit vazhdojnë të jenë vigjilentë ndaj situatës duke bërë të pamundurën që gjithçka të kalojë me sa më pak probleme. Për këtë efektiva të policisë dhe ushtrisë së bashku me automjetet e tyre vazhdojnë të ndihmojnë sa mundin banorët për t’i evakuuar nga zonat e rrezikut dhe sistemuar në Shkodër apo dhe zonat e tjera ku Shtabet e Emergjencave do të sugjerojnë për t’i sistemuar. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë vijojnë të jenë të angazhuara në përballimin e gjendjes së emergjencës, e cila u shpall pas përmbytjeve të shkaktuara nga prurjet e mëdha të reshjeve të shiut dhe nga baticat detare në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ndjekin nga afër situatën duke vendosur në dispozicion të Shtabit të Emergjencave në Shkodër të gjithë personelin dhe mjetet e nevojshme. Në zonat e përmbytura janë të angazhuara në terren 96 forca dhe 40 mjete, nga të cilat 13 makina vetëshkarkuese për ndërtim argjinaturash të dëmtuara, 4 fadroma, 6 motobarka, 2 ekskavatorë, një rimorkiator, katër mjete transporti për evakuimin e banorëve, autobot karburanti, etj. Gjatë ditës së diel, Forcat e Armatosura kanë ndërtuar një argjinaturë 70 metër të gjatë dhe një metër të lartë në vijën e fshatrave Baragjat, Rrushkull dhe Belaj, në mënyrë që këto fshatra të mbrohen nga përmbytjet. Në gatishmëri për mbështetje të menjëhershme janë vendosur 146 forca dhe 138 mjete të tjera, të cilët shërbejnë kryesisht për evakuimin e banorëve me mjete dhe motobarka si dhe për transportimin e mallrave. Gjithashtu është vënë në gatishmëri edhe Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës për pritjen dhe sistemimin e 416 banorëve, në rast nevoje. Po dje forcat ushtarake kanë kryer kryesisht riparim argjinaturash, transportim mallrash dhe evakuim banorësh në fshatin Obot. Aktualisht forcat ushtarake ndodhen në gjendje gatishmërie në Komunën Dajç për evakuim të banorëve. Forcat ushtarake vijojnë të jenë në gatishmëri për tu përdorur sipas nevojave dhe kërkesave të Shtabit të Emergjencës. Në LezhëKryeministri Berisha ka vizituar zonat e përmbytura në qarkun e Lezhës. I shoqëruar nga ministri i Brendshëm Lulëzim Basha dhe Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Genc Ruli, Kryeministri Berisha vizitoi zonën e Tales, e përmbytur nga batica e detit Adriatik. Pas vizitës së tij në zonat e përmbytura të qarkut të Lezhës, Kryeministri Berisha vizitoi qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e tij për të parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet në këtë qark. Në Lezhë kryeministri Berisha u takua me përfaqësues të pushtetit lokal dhe anëtarë të Shtabit të Emergjencës, prej të cilëve u njoh më nga afër me situatën. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha u shpreh se situata e krijuar ka ardhur si pasojë e fryrjes së detit dhe se duhet të përgatitemi pasi kjo do të jetë gjithmonë e më e shpeshtë, sidomos në zonën nga Shkumbini deri në Fushë-Kuqe. Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë për marrjen e masave me qëllim përballimin e situatës. “Një baticë e fuqishme, një ngritje e detit, ka çarë argjinaturën, ç’ka nuk ka ndodhur dhe nuk është regjistruar ndonjëherë në këtë shkallë. Ne do të përgatitemi mirë, sepse i gjithë gjiri i Drinit është shumë i kërcënuar, siç është i kërcënuar në përgjithësi bregu i Adriatikut,më shumë se bregu i Jonit, pasi Adriatiku ka bregdet fushor, ndërsa Joni është shkëmbor. Këto janë efektet direkt të ngrohjes globale. Kjo valë erdhi nga Afrika. Shkarkimet e ujërave kanë qenë shumë të mëdha nga Mati, por prapë nuk janë ato që kanë sjellë këtë situatë. Fatmirësisht argjinaturat e Matit kanë funksionuar shumë mirë”, u shpreh Kryeministri Berisha. “Hidrovori funksionon tërësisht. Këto janë ujërat që vijnë nga sipër dhe hidrovori i evakuon ato, ndërsa deti është rreth dy metra më larg sesa ujërat e ëmbla dhe kjo për shkak të rritjes së nivelit të tij, pasi kjo është një gjë e pazakontë. Kjo situatë e re emergjente për vendin kërkon masa jashtëzakonisht aktive, sepse tërë kjo zonë është e ulët. Madje, në këtë situatë janë edhe përtej Shëngjinit, pjesa e Rërës së Hedhur dhe Velipoja. Kështu që ne po bëjmë ringritjen e argjinaturave, por këtu duhet një projekt i madh kombëtar për të bërë atë që ka bërë Holanda në shekuj, për shkak të nivelit të ulët të tokës, ne nuk kemi pasur atë problem, por tani për shkak të ngritjes së nivelit të deteve nga ngrohja globale, ky fenomen shfaqet, dhe rrezikon të bëhet një fenomen edhe këtu. Faktikisht ndonëse nga hidrocentralet e Shkopetit dhe të Ulzës kanë shkarkuar, të marra së bashku, rreth 700 apo 800 metër kub në ditë, përveç turbinave, kanë funksionuar shumë mirë argjinaturat e Matit dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Problemet kësaj here i kemi nga rritja e nivelit të detit. Sidoqoftë, situata këtu është krejt nën kontroll. Nën nën kontroll është situata edhe në Fushë Kuqe dhe kudo. Ne kemi situatë të rënduar në Shkodër, ku unë do të shkoj, sepse prefekti ka marrë porosi të shpallë gjendjen e emergjencës, në komunat e Dajcit, Velipojës, Obotit, në ato zona. E vërteta është se prurjet në lumenjtë e veriut që derdhen në Drin janë shumë të mëdha dhe do të imponojnë një regjim të ri shkarkimi, në mënyrë që të vendosim sigurinë të parën”, ka përfunduar Kryeministri.Në ShkodërPas vizitës së tij në zonat e përmbytura të qarkut të Lezhës, Kryeministri Sali Berisha vizitoi qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e tij për të parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet në këtë qark. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, vizitoi digën dhe hidrocentralin e Vaut të Dejës, si dhe Shtabin e Komandimit të Makinerive. Më pas Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencave. Kryeministri Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe kërkoi evakuim të menjëhershëm për banorëve të këtyre zonave. Kryeministri Berisha kërkoi zbatimin me përpikëri të urdhrave dhe kërkesave të ekspertëve të digave dhe hidrocentraleve. Në fjalën e tij kryeministri Berisha shtoi se “së pari, dua t’u përcjellë qytetarëve të Shkodrës urimin tim më të përzemërt për Vitin e Ri. Ju uroj një vit me gëzime, me suksese, me mbarësi në çdo vatër dhe për çdo qytetar të këtij qarku. Së dyti, unë dua t’ju përgëzoj ju, të përgëzoj Shtabin e Emergjencave Civile, ministrinë e Brendshme dhe ministrinë e Mbrojtjes, sepse gjatë gjithë këtyre ditëve keni qenë në lartësinë e detyrës, pasi për ditë me radhë një kërcënim serioz ekziston nga reshjet, por në veçanti edhe nga kaskada e Drinit, prurjet e të cilit, sidomos në Koman, kanë qenë të përmasave shumë të mëdha. Theksova në Koman, sepse liqeni i tij është një liqen modest. Tani që po flasim ai po rritet me 8 centimetra në orë. Ai është liqen i ngushtë. Ju dhe ministritë keni qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë gjithë këtyre ditëve me komunën e Dajçit, me Obotin, me Anën e Malit dhe me të gjithë zonën e kërcënuar nga përmbytja. është bërë përpjekje maksimale për të shmangur sa të jetë e mundur një përmbytje më të gjerë, por erdha këtu sepse jemi përpara një momenti kritik, moment  në të cilin ne do të detyrohemi të bëjmë shkarkime të mëdha nga të tre liqenet: Fierza, Komani dhe Vau i Dejës. Parashikim sinoptik është shumë i pafavorshëm, parashikohen së paku dhjetë ditë rrebeshe, shira, të cilat në zonat e Alpeve dhe në basenin e Drinit sjellin  prurje të pallogaritshme. Në këtë kontekst dy zonat e kërcënuara të qarkut tuaj Ana e Mali dhe Dajçi, Guri i Zi, duhet të evakuohen me çdo kusht dhe sa më shpejtë, sepse ne do të detyrohemi që në një kohë fare të shkurtër, të hapim tunelet e shkarkimit për shkarkime të mëdha. Banorët do të sistemohen në kushtet më të mira të mundshme. Zoti Prefekt, gjendja e jashtëzakonshme nënkupton marrjen në dispozicion të gjitha aseteve dhe mjeteve të domosdoshme për përballimin e saj. Qeveria do të paguajë në qoftë se do të marrim hotelet për akomodimin e banorëve. Pra, do të merren të gjitha hotelet dhe në rast se ato nuk mjaftojnë do të përdoren konviktet. Ministria e Mbrojtjes dhe ministria e Brendshme do të bëj disponibël sa më shpejtë dy konvaleshenca. Nuk kemi pse t’i fusim njerëzit në stadiume. Kemi transport, kemi autobusë, kemi mjete dhe i vendosim banorët në kushte optimale, në konvikte, hotele dhe konvaleshenca. Ne kemi kapacitete të mëdha për t’i sistemuar. Ministria e Arsimit do të shtyjë fillimin e mësimit në universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ edhe për disa ditë, sepse fillimisht do të zien konviktet, më pas do të lirohen dhe do t’u sillen në gjendjen e përshtatshme studentëve. Rezervat e shtetit do marrin masa që, aty ku është e nevojshme, të bëjnë të gjithë furnizimin. Kësaj here furnizimi nuk do të jetë vetëm me ushqim, por me plaçka, me veshje, me të gjitha çfarë duhen për fëmijët e vegjël dhe foshnjat. Kjo periudhë duhet të kalohet me sa më pak lëndime. Zoti Prefekt, është e domosdoshme që të identifikohet çdo sipërfaqe e mbjellë. KESH-i është i detyruar të zhdëmtojë, por kjo kërkon kushtin e vlerësimit të ndershëm dhe objektiv. Nëse toka është e mbjellë me grurë, apo diçka tjetër, KESH-i do t’i përgjigjet dhe është i detyruar t’i përgjigjët, vetëm se me lutjen që kjo të bëhet në mënyrën më objektive. Kështu është rregulli. Mendoj që gjendja e emergjencës është e shpallur në këto zona. Policia, në rast nevoje dhe ushtria, do të bëjnë evakuimin.  Do të kontrollohet çdo shtëpi dhe në marrëveshje me autoritetet vendore në rast se mund të rri një njeri i vetëm, por dhe ai që do të rri duhet të ketë një mjet komunikimi dhe nuk mund të rri në shtëpi në kat të parë. Do të merret çdo njeri. Nuk mund të pranojmë njeri që të marr rrezikun e vdekjes. Ajo nuk mund të ndodhë. Forcat e xhenios janë këtu, mund të sjellim repartet ushtarake dhe ne i kemi të gjitha mundësitë, mjetet e gjithanshme, që këtë situatë emergjente ta kapërcejmë me sa më pak probleme dhe dhimbje. Kjo është një situatë, e thash dhe njëherë, ku ne duhet detyrimisht të shmangim rreziqet e mëdha. Ne nuk mund të pranojmë që të rrezikohet Shkodra, nuk mund të pranojmë që të rrezikohet Lezha dhe  ultësira tjetër. Kjo është jashtë çdo lloj koncepti dhe besoj se është gjëja më normale. Unë kam komunikuar vazhdimisht me ju dhe jam informuar se disa prej tyre mund të pretendojnë se janë të përgatitur, se kanë varka, por mund të rrijë një njëri nëse e ka shtëpinë dy katërshe. Ndërsa fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes do t’i sjell ti ketë të sigurt dhe pa asnjë lloj problemi. Ky është një sistem për të hapur tunelet dhe ekspertët, specialistët e digave, mendojnë se çdo orë është e padëshirueshme që ta vonojë këtë vendim të tyre. Hidrovorët aty ku janë do të jenë në kontroll të vazhdueshëm. Unë mendoj se ju i keni të gjitha mundësitë për ta përballuar këtë situatë me gjakftohtësi dhe eficencë të plotë. Qeveria do të vër në dispozicion çfarëdo që ju nevojitet, çdo mjet dhe çdo gjë tjetër. Situatë jo të favorshme kemi dhe në Lezhë ku deti është ngritur dhe në Mat po shkarkojmë shumë ujë. Kjo nuk është fare nga Mati, e tëra është nga ngritja e shpejtë dhe e fuqishme e detit, i cili ka marrë përpara bunkerë, prita dhe gjithçka. Dhe atje po punohet shumë që të mund të vendosim një prit më të sigurt. Sidoqoftë, kjo është një situatë që ne duhet të funksionojmë siç kemi funksionuar. Ne kemi funksionuar mirë. Unë e kam ndjekur dhe ju e keni ndjekur me shumë vëmendje dhe me shumë përkushtim situatën. Ne duhet të zbatojmë atë që thonë specialistët dhe ekspertët e digave, sepse kjo është detyra jonë. Ne duhet të krijojmë siguri, sepse për ndryshe të dy liqenet, sidomos Komani, është në rritje të shpejtë. Në rast se është e nevojshme le të bëjnë lartësimin me fasë të digës në Dajç. Ushtria të merret me vendosjen e thasëve, 5000 deri në 10000 thasë mund të duhen, në rastet e nevojshme, nëse e gjykojnë specialistët të nevojshme. Ne duhet të jemi realist, sepse  shqetësimi për prurjet në kaskadën e Komanit dhe të Fierzës është shumë serioz, që do të thotë se mund të detyrohemi për shkarkime të mëdha. Nuk ka asnjë kërcënim për ndonjë zonë tjetër, përveç zonës në fjalë, por mund të jemi të detyruar të rrisim progresivisht shkarkimet në përputhje me prurjet. Për prurje shumë të mëdha duhet të bëjmë shkarkime shumë të mëdha. Jemi në fillim, kështu që edhe argjinaturën mund ta lartësojmë, në qoftë se e gjykojnë specialistët. Më informuan se një sasi e madhe e thasëve janë në Pukë dhe duhet të sillen me urgjencë. Madje të çohen ku mund të mbushen, se mund të mos ketë material në Dajç. Le të sillen ku të jetë më afër, por të fillojnë. Të fillojnë t’a lartësojnë, të fillojnë të përgatiten. Kjo mbase është një punë e panevojshme, por më mirë rrimë ne të qetë. Shërbimi shëndetësor duhet të jetë 24 orë. Spitali të përforcohet me mjek dhe me infermier, po ashtu dhe Qendrat Shëndetësore. Ne duhet të jemi shumë të gatshëm që kjo të kapërcehet në një mënyrë sa më pak traumatike, sa më pak lënduese. Ju keni bërë punë shumë të mirë, por problemi është se sinoptika është jashtëzakonisht jo premtuese dhe ne duhet të përgatitemi mirë. Janë dy liqene, sidomos Komani është një liqen qe mbushet shumë shpejtë se është një liqen i vogël. Detyra jonë është të parandalojmë, detyra jonë është të parashikojmë, por evakuimi do fillojë, sepse ne brenda pak orëve mund të detyrohemi të dy ose trefishojmë  shkarkimin, në varësi të kërkesës së ekspertëve. Të jem i sinqertë me ju, nuk do mund të ngadalësojmë asnjë kërkesë të tyre. Janë ata që do të komandojnë, sepse atyre ua jep të drejtën rregulli dhe ata do të komandojnë portat dhe tunelet e shkaktimit. Qeveria ka detyrat e veta dhe po merr të gjitha masat, për të cilat ne jemi mbledhur këtu. Ndërsa specialistët kanë detyrë të shmangin me çdo kusht, nëpërmjet manovrimit me tunelet dhe portat, një rrezik madhor për hidrocentralet. Rritja e Komanit me një nivel mbyt komplet sallën e turbinave në Fierzë. 175.8 është pika kritike, hyn në ujë turbinat dhe bllokohen. Tani fjalën tërësisht e kanë vetëm specialistët e digave dhe hidrocentraleve. Ne do marrim masat. Ne u kërkojmë atyre sigurinë maksimale për të parandaluar çdo lloj problemi madhor. Kjo është kërkesa e qeverisë ndaj tyre. Ne do zbatojmë me përpikëri çdo vendim të grupit të emergjencës së digave dhe hidrocentraleve. Për çfarë të vendosin ata qeveria do të thotë vazhdoni. Jemi në limitet e asaj që ne duhet të zbatojmë. Edhe ata fermerë duhet ta dinë që këto kanë qenë minimale dhe tani do të detyrohemi të bëjmë derdhje të mëdha, ndoshta 3 - 4 fishin e këtyre. Të fillojnë që tani veprimin, sepse, edhe njëherë, shkarkimet mund të 3 - 4 fishohen brenda orëve dhe në mënyre absolute ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç zbatimit të përpiktë të urdhrit apo kërkesës të komisionit të digave dhe liqeneve”, deklaroi midis të tjerave Kryeministri Sali Berisha. Shtabi i Emergjencës Shkodër Nis evakuimin e banorëve, ushqime atyre që s’lëvizinKryeparlamentarja Topalli, apel banorëve: Bashkëpunoni me policinë dhe ushtrinë për t’u larguar nga shtëpitë Shtabi i Emergjencës në Shkodër pas një mbledhje urgjente të zhvilluar paraditen e djeshme, ka dalë me vendimin për evakuimin e menjëhershëm të 130 personave nga lagja Bahçallëk të cilët rezultojnë në rrezik përmbytje. Duke marrë në shqyrtim situatën emergjente të krijuar nga përmbytjet e fundit, ekspertët e këtij shtabi kanë vlerësuar si emergjent evakuimin e këtyre banorëve. Bëhet me dijeni se ata do të sistemohen në ish-repartin ushtarak të Melgushit, ndërsa do të pajisen me veshmbathje dhe ushqime. Sipas të dhënave të komunikuara, mësohet se në komunën e Dajçit, deri tani ka 55 familje të evakuara. Ndërkaq, Shtabi i Emergjencës në Shkodër ka marrë vendimin edhe për dërgimin e pakove me ushqime në fshatin Obot, banorët e të cilit janë bllokuar nga uji, por nuk pranojnë të evakuohen siç kanë bërë shumë të tjerë. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjendet që prej ditës së djeshme në zonat e rrezikuara nga përmbytja në rrethin e Shkodrës, në fshatrat Shirgj, Bërdicë, Trush e Dajç, Obot e Samrish. Kryetarja e Kuvendit e shoqëruar nga deputetja Arenca Trashani, Astrit Bushati dhe deputetët e tjerë të Shkodrës ka ndjekur nga afër, orë pas ore, situatën e banorëve të këtyre zonave, ka takuar përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe ka marrë pjesë në mbledhjet e Shtabit të Emergjencës, që është ngritur pranë Prefekturës së qytetit. Kryetarja e Kuvendit në takimet me banorët e zonave të prekura u kërkoi atyre të bashkëpunojnë me  forcat e rendit dhe të mbrojtjes, për tu larguar  nga banesat e rrezikuara nga përmbytjet. Kryetarja e Kuvendit tha se qëndrimi në këto banesa rrezikon seriozisht jetën e banorëve dhe  u kërkoi atyre mirëkuptim për tu strehuar në hotele dhe konviktet e vëna në dispozicion dhe të pajisur me të gjitha kushtet. Kryetarja e Kuvendit nëpërmjet linjës direkte telefonike për mediat televizive, nga zonat e rrezikuara, drejtoi këtë apel, “Mund të them që nga mesnata edhe në këtë momente që unë jam në fshatrat e komunës së Dajçit, ka një rritje të nivelit të ujit, pavarësisht faktit që koha është e mirë. Mendohet se mund të ketë rritje të mëtejshme të nivelit të ujit  në orët e ardhshme. Unë shoh që ka një angazhim të jashtëzakonshëm të forcave të ushtrisë, policisë dhe  të shëndetësisë. Po përpiqemi të bindim banorët që të bashkëpunojnë më tepër me të gjitha forcat e policisë dhe ushtrisë. Plani i evakuimit është gati, ndërkohë që shumë familje janë evakuuar, por janë të tjera familje që rezistojnë dhe hezitojnë për tu larguar nga shtëpia. Unë shfrytëzoj valët e radiotelevizioneve për të ftuar banorët që të bashkëpunojnë me forcat e ushtrisë dhe të policisë, për tu larguar nga shtëpitë e tyre. Shteti siç ka premtuar kryeministri Berisha, do të  dëmshpërblejë çdo dëm të tyre. Kjo është një situatë e rëndë, por  masat janë marrë shumë kohë përpara dhe  kjo nuk do të thotë, se ne nuk do të ndjekim çdo sekondë gjendjen, për  të parandaluar dhe të prevenojmë  situatën, e cila edhe mund të agravohet në ditët e ardhshme. Mund të ketë rritje të mëtejshme të nivelit të ujit dhe e rëndësishme është që në këto momente, banorët të binden dhe të mos u rezistojnë më, forcave të ushtrisë dhe policisë, për të mos u larguar. është shumë e rëndësishme që ato të jenë bashkëpunues dhe ftesa jonë është që ato të largohen nga shtëpitë. Kjo është ftesa nga pushtetit vendor dhe nga të gjitha strukturat e emergjencës. I gjithë pushteti qendror është i organizuar, është në terren, fshat më fshat, duke marrë çdo masë të nevojshme. Në qytetin e Shkodrës të gjitha hotelet, konviktet  janë në dispozicion të familjeve, të fëmijëve, të gjithë atyre që do të largohen nga shtëpitë e tyre për tu strehuar për aq sa do të jetë e nevojshme dhe, janë marrë  të gjitha masat për nevojat që ata do të kenë”, u shpreh Topalli në bisedë me banorët e zonave të përmbytura.Përmbytjet, banorët refuzojnë të evakuohenGjatë natës së kaluar forcat e ushtrisë janë përpjekur të bindin banorët e fshatit Obot në zonën e Nën-Shkodrës për tu evakuar nga shtëpitë, por kanë hasur në rezistencë pasi banorët nuk pranojnë të largohen nga shtëpitë e tyre. Vetëm 5 familje kanë pranuar të largohen e të vendosen në hotel “Turizmi”, i caktuar nga qeveria për strehim. Në zonën e Nën-Shkodrës rezultojnë të përmbytura 100 banesa. Ndërkohë, gjatë natës u hapën portat e shkarkimit në hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Kryeministri i kërkoi prefektit të qarkut të marrë në dispozicion të gjitha asetet për të përballuar gjendjen e jashtëzakonshme....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›