"Ja përse refuzova Evertonin, Hamburgun dhe Verder Bremenin"
Menjëherë pasi ka nisur aventurën e tij të re te Sandërlendi, Lorik Cana kthehet të flasë për prapaskenat e merkatos së kësaj vere, ku një sërë klubesh e kërkonin, por ai zgjodhi "Macet e Zeza" të Premier League". Dje ka vendosur të sqarojë edhe arsyet përse refuzoi emra të njohur të futbollit anglez e gjerman si Evertoni, Hamburgu dhe Verder Bremen. Me një anglishte të shkëlqyer, 26-vjeçari është shprehur: "Kisha oferta nga Gjermania dhe isha në bisedime, por kisha kontakte dhe me klube në Angli, dhe unë e dija se Premier League është kampionati më i mirë në botë. Evertoni më njeh shumë mirë. Ata janë interesuar për mua edhe në vitet e kaluara dhe mund të kisha ardhur më parë në Angli. Ishim në tratativa, por Sandërlendi u fut në mes, dhe unë kisha një parandjenjë të mirë, kur bisedova me trajnerin Stiv Brus. Pasi më kishte bërë të ditur se isha një lojtar shumë i domosdoshëm për këtë klub, Sandërlendi kërkonte një përgjigje të shpejtë. Duke parë objektivat dhe mbështetjen, vura re se Sanderlendi ishte një skuadër ambicioze, prandaj vendosa ta pranoj këtë sfidë". Fansat mund të ndjekin në "Youtube" ndërhyrjet "mizore" të Canës, por ai nuk pëlqen të etiketohet si lojtar i ashpër. "Po, luaj fort dhe dyluftoj ashpër, kjo është një pjesë e rëndësishme e lojës sime, por unë jam gjithashtu një lojtar taktik dhe askush nuk mund të luajë në Premier League pa këto veti", tha ai. "Disa nga lojtarët më të mirë të botës luajnë në Angli, dhe unë dëshiroj të shikoj nivelin tim përballë tyre. Gjithë jetën time kam dashur të luaj në Angli. Është një ligë e njohur në gjithë botën, më e famshmja dhe më popullorja. Nëse do të jem i suksesshëm këtu, do të jetë edhe një arritje e madhe. Sigurisht, unë mendoj se mund t‘ia dal. Ndryshe nuk do isha këtu". Cana e ka filluar tashmë stërvitjen me Sandërlendin dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e sotme ndaj Sëlltikut.