E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refik Halili rizgjidhet president i Tiranës

Refik Halili ishte president i Tiranës, i zgjedhur nga një asamble e pak kohëve më parë, por dje është rikonfirmuar sërish në këtë post nga një tjetër Asamble e klubit Tirana. Kjo e fundit ka vlerë përfundimtare, për vetë faktin se është e miratuar edhe nga pronarja e klubit bardheblu, Bashkia e Tiranës, e cila për Asamblenë e mëparshme ishte shprehur në mënyrë kategorike kundër. Punimet nisën rreth orës 19.00 dhe jo gjithçka ka shkuar vaj. Nuk kanë munguar debatet e ashpra për çështje të ndryshme, por megjithatë, duket se palët i janë shmangur tensionimit të mëtejshëm të situatës. Një çështje që provokuan debate ishin procedurat për përzgjedhjen e kandidaturave që do të jenë anëtarë kryesie, të cilat duhet të plotësonin disa kritere. Për sa i përket çështjes së presidentit, donatori Refik Halili ishte kandidati i vetëm, prandaj u aplikua votimi i hapur. Halili u zgjodh në mënyrë unanime dhe në sallë pati ovacione. Me të marrë fjalën, presidenti i ri i falënderoi të gjithë për besimin që i dhanë dhe uroi që, "nëse do të jemi të gjithë të bashkuar si sot, Tirana do të ecë përpara. Aktualisht, kemi një trajner të madh, ekipin do ta përforcojë dhe do të jemi pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë". Më pas u zgjodhën edhe katër nga shtatë anëtarët e kryesisë, pasi tre janë tashmë: shefi i klubit dhe dy donatorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›