E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontratë sipas paraqitjeve për Skelën

Ervin Skela vazhdon stërvitjen në radhët e Bajer Leverkusen. Mesfushori shqiptar shihet si një përforcim i mirë për skuadrën e Bundesligës, që e mbylli sezonin e kaluar në vendin e nëntë, ndërsa në edicionin e ardhshëm shpreson të fitojë një "biletë" për në kupat e Europës. Pas rënies së Kotbuzit nga kategoria, fantazisti është në pritje të ofertave: interesimi nga kampionati turk nuk ka munguar, por objektivi kryesor i vlonjatit mbetet aktivizimi në elitën e futbollit gjerman. Skela do të përbënte një alternativë të mirë për trajnerin Jup Heinkes, edhe sepse ka mjaft eksperiencë, si zëvendësues i të riut Toni Kros. Duke vlerësuar moshën e madhe të vlonjatit (32 vjeç) dhe faktin që nuk ishte mes lojtarëve të kërkuar në merkato, skuadra e aspirinave po mendon t‘i ofrojë kuqeziut një kontratë në bazë të paraqitjeve. Megjithatë, kjo shihet si një lëvizje e rrezikshme për arkat e klubit për faktin se gjatë kampionatit të kaluar, shqiptari është paraqitur mjaft mirë në radhët e Kotbuzit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›