E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e Thirrës prishin mbikalimin për të bërë biznes

Sabotimi Rruga është bërë qëllimisht e pakalueshme në një segment, ku bëhet rimorkim me pagesë

Hapja e mbikalimit të Kalimashit pas tre muajsh mosfunksionimi, ka bërë që ky segment të përshkohet nga qindra automjete, kryesisht furgonë pasagjerësh dhe fuoristrada. Por bashkë me nisjen e lëvizjeve, te banorët e zonës së banuar të Thirrës janë “zgjuar” përpjekjet për të përfituar nga rasti, meqë rruga u kalon fare pranë shtëpive të tyre. Kështu, siç mësojmë nga shoferët e furgonëve që kanë përshkuar mbikalimin, dy kamionë skoda janë vënë në dispozicion për të kaluar automjetet që kanë vështirësi në kalimin e pjesës më të vështirë të rrugës. Ata kanë prishur trasenë e rrugës dhe kanë drejtuar në rrugë rrëkenë e ujërave të dëborës, duke krijuar dëmtime që praktikisht e bëjnë rrugën të pakalueshme nga mjetet e zakonshme.

Duke nisur nga portali lindor i Tunelit të Kalimashit e deri në Qafën e Kumbullës, për rreth 7 km, rruga është shkelur nga fadromat e “Bechtel-Enka”, që kanë hapur edhe një tunel në dëborë, duke e bërë të kalueshme vetëm për furgonët dhe fuoristradat. Më tej në zbritje për në drejtim të Thirrës, fadromat e kompanisë së Tunelit kanë krijuar një devijim të shkurtër për të shmangur pikërisht vendin më të vështirë ku tre muaj më parë dhjetëra automjete mbetën në baltë. Një ditë më parë, qindra mjete e kaluan mbikalimin e Kalimashit, një segment i cili me pak kujdes, përshkohet duke shkurtuar kështu distancën Kukës-Tiranë me një udhëtim në autostradë. Por një ditë më vonë gjendja ka ndryshuar. Segmenti është prishur përsëri, jo në gjendjen e dikurshme, por deri në atë masë sa të tërhiqen mjetet për t’u futur dhe më pas të mbeten në baltë për të kërkuar ndihmën e “Skodave”. Këto të fundit qëndrojnë në pritje të vendosin kavon dhe kundrejt një pagese prej 1 mijë lekësh t’i nxjerrin në kodër. Shoferët e Kukësit dhe shoferë të tjerë që i takuam në Qafën e Kumbullës ndërsa vinin për Kukës thanë se ishin të zhgënjyer jo vetëm me “Bechtel-Enkën”, që nuk kishte bërë ndonjë gjë shumë të prekshme në rrugë, por edhe nga banorët, të cilët, sipas pohimit të shoferëve, kanë drejtuar rrëketë e ujit në rrugë për ta prishur atë. “Atje te gropa nuk kalohet. E kanë drejtuar ujin në rrugë dhe aty është bërë një baltë e tmerrshme, nuk kalon dot pa rimorkim”, tha një shofer duke saktësuar se nga ana tjetër dy “Skoda” ishin në gatishmëri. Një shofer tjetër fajëson shtetin që nuk merr masa për t’u kujdesur për këtë segment ku kalojnë aq shumë mjete. “Shteti është dashur të bënte diçka për të ruajtur në gjendje funksionale këtë rrugë, sepse na ka gënjyer. Në fillim kur u mbyll tuneli na thanë se do të hapet pas disa javësh, kaloi dimri dhe erdhi pranvera e tuneli nuk u hap, tani, që doli prapë kjo punë e mbikalimit, duhet të biem këtej domosdo, ose nuk duhet të dalim në punë”, tha ai duke shtuar se nëse nuk i binte nga mbikalimi humbte pasagjerët. “Nuk vjen kush andej nga Puka, më thanë në mëngjes nëse do të shkosh nga Puka ne po zbresim”, tregon shoferi. Në shpatin e Thirrës një “Skodë”, rri në pritje të karvanëve të mjeteve që vijnë nga Tirana për Kukës. Shoferi nuk pranon të prononcohet, por thotë se po bënte një punë shumë të mirë duke i tërhequr makinat që mbeteshin në baltë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›