E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pse Shqipëria ishte nga të parat që aplikoi për nismë “Një OKB”

27-06-2012 / Gazeta 55

Intervistë e Ministrit për Inovacionin dhe TIK dhe Kryetarit të Grupit të Punës për organizimin e Konferencës së Pestë Ndërqeveritare për Reformën


“Një OKB”, z. Genc Pollo Çfarë do të thotë në thelb nisma ‘Një OKB”? Ministri Genc Pollo: Nisma “Një OKB” është një nismë shumë e rëndësishme sepse sistemi i Kombeve të Bashkuara, i ngritur fill pas luftës së dytë Botërore, ka patur një zhvillim të madh përmes organizatave të ndryshme, të cilat ndihmonin vende të veçanta në zhvillimin e tyre, në problemet që hasnin. Dhe në kuadër të OKB-së ka arritur një numër i madh organizatash, me një strukturë, që nuk është gjithmonë mirë-funksionale, me sistem raportimi që nuk është gjithmonë transparent dhe me përdorimin e parave të taksapaguesit, sepse OKB-ja funksionon në bazë të financimit që bëjnë shtetet anëtare dhe jo gjithmonë ky përdorim është më i miri. Në bazë të këtij konstatimi, ka qenë debati dhe pastaj nisma për “Një OKB”, pra për të patur procedura relativisht të unifikuara, apo edhe të harmonizuara, përmes Një Zyre, përmes Një Përfaqësuesi dhe përmes Një Mënyre të Vepruari. Por nga ana tjetër, ashtu si të gjithë, këto organizata nuk janë të lehta për tu reformuar, sepse ka shumë interesa, ka një strukturë që është deri diku e kalcifikuar dhe ka nevojë për shumë debat dhe për vullnet politik. Roli i Shqipërisë: zakonisht në debatin tonë ne themi çfarë bën bota për ne, jemi mësuar të dëgjojmë qendrimet e BE-së apo të SHBA-ve, deri te deklarata e ambasadorëve, por pak e kemi pyetur veten se çfarë mund të bëjë Shqipëria për të përmirësuar gjendjen në botë dhe këtu nuk flasim për trupat që çojmë në vendet ku nuk ka paqe, nuk flasim për kontributin në rajon për qetësimin, paqtimin, demokratizimin, por po flasim se çfarë mund të bëjë Shqipëria, një vend i vogël, 3 milionë banorë, për rruzullin tokësor. Kuptohet që nuk mund të bëjë sa vendet e mëdha të këtij planeti, por Shqipëria ka qenë një ndër 8 vendet pilote që kanë dalë në mënyrë vullnetare për të zbatuar në Shqipëri reformën “Një OKB”, “One UN”, e cila ka ecur në mënyrë shumë të kënaqshme dhe vlerësimi i pavarur që është bërë para dy vjetësh nga Kombet e Bashkuara, me ekspertë të pavarur, e ka raportuar Shqipërinë si një rast suksesi për zbatimin e reformës “Një OKB” nga të tërë vendet pilote. Dhe është në kënaqësinë e nderin tonë, por edhe në shërbim të vazhdimit me ritëm të reformës “Një OKB” që konferenca për këtë çështje të mbahet në Tiranë. Është një konferencë e nivelit të lartë me përmasa të mëdha dhe kujtoj se është i pari rast ky që një temë vërtetë globale diskutohet në Tiranë. Ne kemi patur konferenca, që nga tematika që i përkasin rajonit, Ballkanit, Evropës Juglindore, nisma Evropiano-Qendrore, Deti i Zi, shpesh janë mbledhur në Tiranë, por për herë të parë, në kujtesën time, një konferencë mblidhet për të trajtuar çështje globale, pra nga Artiku në Antarktidë, nga Amerika Latine në Siberi dhe nga Norvegjia në Kepin e Jugut.  Përse Shqipëria doli vullnetare e një nisme të tillë? Shqipëria doli vullnetare në vitin 2007, sepse Qeveria besonte në nevojën e reformimit të OKB-së dhe kishte vullnetin që të kontribuonte në këtë reformë, duke u ofruar vetë si vend pilot dhe duke adoptuar në Shqipëri reformimin e procedurave të brendshme të agjencive të Kombeve të Bashkuara. Kuptohet, kjo ka të bëjë me vendet që ende përfitojnë nga  Kombet e Bashkuara, vendet e pasura si Franca apo Gjermania, nuk janë në këtë fazë, nuk kanë qenë të paktën që me krijimin e OKB-së. Po të shohësh listën e pjesëmarrësve në konferencë, ata vijnë nga të gjitha kontinentet, dhe nga Evropa është Shqipëria dhe 3 vende të tjera. Por duke qenë të bindur në domosdoshmërinë e reformës, duke dashur që ne të kontribuonim në reformën e OKB-së, në 2007-ën, morëm vendimin për të qenë vend pilot dhe për të aplikuar reformën në Shqipëri. Vlerësimi i ekspertëve të pavarur, të pajtuar nga organizata në New York, e ka nxjerrë Shqipërinë si rast suksesi në zbatimin e “Një OKB”-së. Ju e përmendet që kjo nismë ka filluar që prej 2007-ës, cili është progresi deri në këto momente dhe çfarë vlere të shtuar ka patur kjo për vendin por edhe për qeverinë që e organizon një konferencë të tillë? Duhet të dallojmë dy gjëra: reforma Një OKB dhe Konferenca që mbahet në Tiranë. Reforma Një OKB është bërë në mënyrë konsistente në Shqipëri dhe ka bërë që procedurat e agjencive të OKB-së të jenë më efektive, më transparente, të kursejnë aty ku mundet, pra paraja që jepet për zhvillimin e Shqipërisë dhe për të përmirësuar jetën e shqiptarëve të përdoret pa humbje dhe pa rrjedhje, siç mund të ndodhë me administratën publike në përgjithësi. Dhe fakti që Shqipëria ka dalë mirë në zbatimin e reformës në vendin tonë e bëri atë një kryeqytet të përzgjedhshëm, e bëri Tiranën që të ishte kryeqyteti i konferencës për Një OKB-në. Në konferencë do të kemi pjesëmarrës nga shumë vende të botës, vende që përfitojnë, vende donatore, përfaqësues të qeverive të tyre, do të kemi zyrtarë të lartë, do të kemi figurën më të lartë të fushës, që është znj. Hellen Clark që është ish-Kryeministre e Zelandës së Re dhe e cila drejton PNUD-in. Në konferencë do të marrë pjesë edhe Kryeministri, z. Berisha, ministrat përkatës, dhe është edhe një mënyrë për të prezantuar vendin. Shqipëria ka reputacion të mirë por ka edhe probleme në imazhin e saj, në perceptimin që i bëhet vendit dhe me aq sa kemi përvojë, të gjithë ata që vijnë me një imazh paragjykues për Shqipërinë, por vizitojnë vendin, kthehen me një gjë tjetër në mendje. Dhe fakti që afro 300 zyrtarë të lartë do të kalojnë kohë në Tiranë, por edhe në sitet kryesore arkeologjike të vendit është një vlerë e shtuar shumë e madhe për Shqipërinë. Përmendim këtu faktin që jemi në prag të sezonit turistik, natyrisht dhe kriza ekonomike që ka përfshirë vendet e rajonit, a mund të themi se vendi ynë do të ketë një përfitim të tillë nga kjo konferencë? Në veçanti, nga prania e pjesëmarrësve, nga shpenzimet e mbi 300 vetëve, që nuk janë pak, që nga shpenzimet e hotelit dhe taksa e aeroportit, te TVSH-ja që derdhet në thesarin e shtetit, te blerjet që mund të bëjnë në restorante apo dyqane, pra turizmi i konferencave është një formë e re turizmi, dhe ka disa vende që kanë shumë sukses me aplikimin e tij, si Turqia, Greqia, disa vende të Evropës Qendrore dhe po të shohësh studimet është një model për tu ndjekur dhe ne mund ta realizojmë përmes thithjes së konferencave, qofshin këto konferenca zyrtare, si kjo që mbahet në Tiranë këtë javë, por edhe konferencat e organizatave të ndryshme që nuk paguhen nga fondet e qeverisë shqiptare. Është diçka për tu eksploruar dhe avancuar më tej. Ju prezantuat disa përfitime të pritshme nga kjo konferencë, por cilat do të jenë pikat më të rëndësishme në përfundimin e konferencës dhe çfarë synohet të arrihet? Përfitimi konkret është miratimi i një deklarate, miratimi i rezultateve të konferencës, ku do të përcaktohet se çfarë është bërë deri tani për riorganizimin dhe reformimin e brendshëm të OKB-së, si dhe hapat e tjera që do të ndërmerren deri në konferencën vijuese, ku do të raportohet për to. Pra është një proces dhe ne kemi përgatitur një projekt-deklaratë që nuk mund ta ndaj me mediat në këtë moment, një deklaratë ambicioze, që do t’i nënshtrohet diskutimit me të gjithë vendet anëtare, sepse duhet të ketë konsensus dhe duhet ta miratojnë të gjitha vendet pjesëmarrëse të kësaj konference. Ndër pikat kryesore të deklaratës janë ato që kanë të bëjnë me konstatimet që nga konferenca e vjetshme, e mbajtur në Montevideo, Uruguaj e deri më sot, lidhur me çfarë është arritur nga organizatat në nivele të ndryshme, konfirmimi i vlerësimeve të bëra të këtij procesi dhe vendosja e piketave teknike por shumë të rëndësishme për t’u bërë në muajt që do të vijojnë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›