Përtej qeverisë elektorale
Pavarësisht se ditët e fundit janë kryer disa ndryshime ministrash në qeveri, është e qartë se nuk bëhet fjalë për ndryshime që prekin thelbin e saj, aq më shumë për ndryshime të cilat synojnë një rishikim të performancës së disa ministrive, promovim të shumë emrave të rinj në krye të dikastereve apo një kontekst që synon të prekë strategji elektorale të vitit që vjen.
Megjithatë, duket qartë se pritshmëria e publikut dhe e zërave më ndikim mes tij për ndryshime më të thella në qeveri ka qenë më e madhe. Dhe konteksti më i fortë që vjen kryesisht nga jashtë maxhorancës, por edhe brenda saj, ka të bëjë me thellësinë e ndryshimit të qeverisë. Sipas kësaj pritshmërie që artikulohet nga media të ndryshme, duhej që Berisha ta shtrinte edhe më gjatë dorën mbi kabinetin e tij, duke mos u mjaftuar vetëm me zëvendësimin e vendit të lirë të ministrit të Brendshëm, por me ndryshime të mëtejshme edhe te ministrat e PD-së. Pra, përtej këmbimit që kreu LSI me ministrat e vet, ndryshime të cilat nuk janë të motivuara shumë me përmirësimin e cilësisë së qeverisjes, por me një marrëveshje rotacioni brenda vetë partisë. Në shtatë vite qeverisjeje ka një numër jo të vogël ministrash, megjithëse brenda një qeverie të vogël, që vetëm kanë shkëmbyer kabinetet, por nuk kanë dalë prej kabinetit qeveritar. Është e logjikshme që të ketë një pritshmëri për zëvendësime ministrash të kësaj kategorie, aq më tepër kur disa prej tyre janë përmendur për afera korruptive apo konflikte interesi, të cilat, megjithëse mund të jenë verifikuar nga gjykatat në favor të tyre, sërish kanë kontribuuar në rëndimin e perceptimit të keq të qytetarëve për ta ose për qeverinë. Përjashto dy-tre ministra, emrat e të cilëve janë të lidhur me reforma të forta dhe ndryshime modeli në sektorin e tyre, te të tjerët nuk ka kushedi çfarë performance, e cila do ti bënte ata të paprekshëm nga ndonjë fshesë e beftë e Kryeministrit.
Por, megjithatë, Kryeministri Berisha duket se ka një këndvështrim të ndryshëm prej këtij të argumentuar më sipër. Më herët dhe më shumë se një herë ai ka theksuar faktin se me disa prej këtyre ministrave në qeveri ka fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2011, e ka futur Shqipërinë në NATO më 2008-n dhe ka arritur liberalizimin e vizave më 2010-n. Pra, siç shihet, për kabinetin dhe emrat e tij të preferuar në qeveri ka një axhendë makropolitike mjaft të pasur, për tu pasur zili nga çfarëdo kabineti qeveritar në këto 22 vitet e pluralizmit në vend. Po ashtu, Kryeministri nuk ka hezituar të deklarojë vazhdimisht se qeveria, pra dhe ministrat, kanë qenë të suksesshëm në fushën e ekonomisë. Janë ruajtur për disa vite ritmet e rritjes ekonomike dhe ndërkaq, vitet e fundit të krizës europiane dhe botërore, Shqipëria ka tregues makroekonomikë pozitivë. Nuk ka pasur rritje të inflacionit, ka një ulje të moderuar të rritjes ekonomike, ndërsa deficiti buxhetor e borxhi publik po mbahen në parametra të menaxhueshëm dhe brenda kapaciteteve furnizuese të ekonomisë shqiptare. Janë rritur të ardhurat për frymë të qytetarëve dhe të ardhurat në buxhet shtatë vitet e fundit janë dyfishuar, duke dyfishuar edhe buxhetin e shtetit krahasuar me vitin e fundit të qeverisjes së socialistëve. Këto nuk janë pasojë vetëm e avantazheve të prapambetjes, siç e pëlqen The Economist të thotë për disa aspekte të ekonomive të Ballkanit, por thelbësisht për shkak të modelit ekonomik liberal, të zgjedhur nga qeveria e djathtë.
Por, ndërkaq, vetë kabinetet qeveritare të Berishës nuk kanë ndryshuar pak. Gjatë shtatë viteve pushtet të së djathtës është ndërruar pesë herë ministri i Kulturës, katër herë ministri i Jashtëm, katër herë ministri i Brendshëm, tri herë ministri i Mbrojtjes, tri herë ministri i Arsimit, pesë herë ministri i Drejtësisë, si dhe dy herë ministri i Transporteve, tri herë ministri i Ekonomisë, katër herë ministri i Shëndetësisë. Pra, ka pasur ndryshime edhe përtej përkufizimit të Berishës, që konsideron se postet qeveritare nuk janë vende shpërblimesh.
Mes mendimit se në qeveri duhen ndryshime dhe atij se qeveria nuk ka pse të ndryshojë, është vështirë të zësh një vend në mes, pasi të dyja ato janë këndvështrime që prodhojnë secila për hesap të vet argumente të bollshme. Shumë më e lehtë është ti bashkohesh njërit prej tyre, pa pasur frikë se e ke gabim. Por kjo nuk do të thotë se po ashtu është e lehtë të kalosh nga njëra te tjetra pikëpamje. Pikërisht kjo e fundit është e pamundur, megjithëse ka një pikë takimi mes të dyja qëndrimeve, dhe kjo pikë takimi është në të ardhmen e afërt: cili prej këtyre qëndrimeve e furnizon më shumë një projekt tjetër qeverisjeje nga e djathta.
Nevoja për ndryshime më të thella në qeveri mbahet më shumë në këmbë nga argumenti i zgjedhjeve të afërta parlamentare, të cilat kanë nevojë për profile të reja qeverisëse, programe dhe bartës të këtyre programeve që kanë nevojë të eksplorohen. Me një vështrim të shpejtë mendja të thotë se ata që kanë siguruar sukses përgjatë gjithë këtyre viteve mund të kenë kapacitete për të siguruar edhe një fitore tjetër më 2013-n. Megjithëse në politikë më shumë se kudo tjetër e shkuara është indikator i fortë për të ardhmen. Por, kur bëhet fjalë për rrethana që ndryshojnë, çdo moment, e shkuara nuk përbën garanci, bile mund të mos përbëjë as model. Rezultatet e mira të qeverisë mund të mos frymëzojnë më. Përballë votuesve ndodhet një mundësi tjetër, e cila nuk ka feedback, por mund të frymëzojë.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare ka shumë mundësi të prodhojnë skema të ndryshme gare nga ato të derisotmet. Ato skema do të kërkojnë të hyjnë në lojë edhe elemente me garanci të tjera nga ato që kanë sot, ta zëmë shumë deputetë të maxhorancës. Kjo është një mundësi prej së cilës nuk përjashtohet edhe opozita.
Nëse Berisha do ta shikonte si skenar të ardhshëm një përvojë të tillë që kërkon promovime të mëtejshme, kishte rastin dhe ende vazhdon ta ketë për të futur në skenë emra të rinj që përballojnë betejën politike.
Pozicionimi i Berishës duke i qëndruar me konservatorizëm një kabineti të qëndrueshëm mund të ketë shumë lidhje nëse ka rol dhe skenë për promovimin e figurave të reja. Nga përvoja e tij një kombinim me figura të reja dhe të vjetra siguron maksimumin. Por, një figurë e re ka koston e njohjes. Nëse do të përcjellësh mesazhe në garën parlamentare, duhet që ato mesazhe ti vendosësh në gojën e njerëzve që krijojnë besim. Të sapoardhurit kanë në dispozicion një kohë të shkurtër, më pak se një vit deri në zgjedhjet parlamentare për të arritur performancën e zyrtarëve të rinj të qeverisë në atë pikë sa të tjerët tu besojnë atyre.
Por kjo çon ujë edhe më shumë në argumentin se pse qeveria nuk mund të përfshihej në ndryshime të thella. Të paktën gjysma e ministrave aktualë të PD-së janë figura të sprovuara të kësaj partie. Përderisa argumenti elektoral është edhe më i forti ndër argumentet që kërkojnë ndryshime të mëtejshme në qeveri, pse u dashka që emra elektoralë të zëvendësohen me të tjerë më pak të tillë?
