Zoti Basha, kujdesu për pemët e qytetit!
Në këtë zheg vape që ka pushtuar kryeqytetin, ku çdokush e ka mendjen se si ti bëjë ballë; në këtë situatë politike me ngjarje që tërheqin vëmendjen në të tjera drejtime; në këta muaj e vite që spo na ndahen nga e përditshmja lajmet me aksidente tragjike automobilistike, me gjakmarrje individuale e kolektive, me vrajse të menduara e paramenduara, me korrupsion pasiv e aktiv, me papunësi të deklaruar e të padeklaruar, me varfëri të skajshme e të tejskajshme, me propagandë mirëqënieje rekord-mbajtëse e rekord-thyerëse, ka edhe gjëra të tjera, të vogla në dukje, që jo çdokujt i bie ndër sy.
Njerëzit e thjeshtë kanë halle personale e familjare që kavërdisen ti zgjidhin me çtë mundin. Shumëkujt i mungon në çezma uji për të pirë e për të gatuar, për tu larë vetë a teshat dhe kësisoj më duket sikur po flas kot për një problem që mbase shumicës nuk i duket as si problem.
Jetojmë në kryeqytet prej vitesh a dekadash, kush më shumë e kush më pak, por derisa i kemi dhënë dum për të qëndruar këtu, kemi për detyrë të evidentojmë çdo problem. Dhe për mua problemi mbetet problem, i vogël a i madh qoftë. Këto ditë kam evidentuar si problem pemët, më saktë, lëngatën e tyre. Kanë kaluar disa javë kur nëna natyrë, me atë shi të rrëmbyeshëm vere të fillim qershorit përmbyti Tiranën, por njëkohësisht ujiti edhe pemët e qytetit. Kaluan javë paskëtaj dhe dielli sërish shndërriti edhe më fort mbi qytet duke forcuar rrezatimin e tij e rritur dozat e nxehtësisë përvëluese. E, ashtu si edhe ne qeniet njerëzore për të cilët uji është vetë jeta, edhe pemët e kanë të domosdoshëm atë. Por çndodh?! Askujt si bie ndërmend për to. Me ditë të tëra ato vuajnë thatësirën e kohës, por edhe mungesën e përkujdesjes njerëzore.
Për tu kthyer pak në kohë, më duhet të rikujtoj se si përpara 10 vitesh, e vit pas viti, filloi një praktikë pozitive nga Bashkia e Tiranës për pyllëzimin e çdo arterie rrugore që asfaltonte. Dhe nuk bëhesh fjalë vetëm për rrugët kryesore dhe dytësore, por edhe ato në brendi të lagjeve. Çdo bllok-pallat tek i cili u rehabilitua infrastruktura rrugore, u shoqërua me ndriçim dhe gjelbërim. Ky i fundit falë edhe vetë kontributit të qytetarëve dhe bizneseve të cilat nëpërmjet taksës së Gjelbër i dhanë jetë një projekti i cili synonte të gjallëronte lagje të tëra të cilat e kishin humbur prej vitesh nocionin e të bashkëjetuarit me pemët.
Tashmë në Tiranë, sapo hedh hapin stina e pranverës, gjelbërimi shpërthen dhe ato pemë të cilat në fillimet e tyre sishin veçse disa fidanë të vegjël e të brishtë, nga viti në vit po hedhin shtat e zhvillohen. Në shumicën e rrugëve kanë krijuar një aureolë të bukur nga ndërthurja e degëve me njëra-tjetrën dhe kur kalon poshtë tyre të duket sikur je futur në tunel.
Në kohën kur mungon edukimi ekologjik i qytetarëve, të cilët i kanë këto pemë poshtë apartamenteve apo përballë bizneseve të tyre, që çdo ditë me një kovë ujë të kontribuonin për mos degradimin e tyre (me shumë pak përjashtime që e bëjnë këtë), është detyrim i Bashkisë që me strukturat e saj të marrë masa që pemët të ujiten. Dhe përvojën se kanë të largët. Deri këtu e një vit më parë çdokush i mban mend gjatë ditëve të thata të verës kur autobotet me ujë të Bashkisë slinin pemë pa ujitur, rrugë më rrugë e lagje më lagje. Stafi aktual e disponon hartën e rrugëve të pyllëzuara dhe do mjaftonte vullneti i mirë për ti nxjerrë nga sirtarët e vënë njerëzit në punë.
Është e thjeshtë të rrimë indiferentë e të presim që pemët të thahen e pastaj të drejtojmë gishtin e përgjegjësisë nga Bashkia që su kujdes për to. Por kjo mos tërheqje vëmendjeje tani, do ishte po aq e dëmshme sa neglizhenca që po tregohet.
Sigurisht që i gjithë ky aksion i për çdo javshëm ka kosto financiare, por nëse pemët lihen në mëshirë të fatit e thahen, kostoja do jetë shumë herë më e lartë. Janë kosto estetike, ku qyteti do duket si i shkretë; janë kosto mjedisore, ku qytetit do i mungojnë mushkëritë e tij; janë kosto shëndetësore, sepse me hijen e tyre ndihmojë shumë të moshur të mos u bjerë dielli në kokë; janë edhe kosto financiare, sepse jo vetëm janë shpenzuar miliona lekë për blerjen dhe mbjelljen e tyre, por do harxhohen po aq për riblerje e rimbjellje.
Shiu mund të vijë nesër, mund të vijë edhe pas tri muajsh, pra smund të mbesim me kismet të Zotit. E nëse vijohet me moskokëçarje e svihet dorë, do na mbetet të rithemi: na ishte një kryeqytet, që u ribë me pemë dhe mbeti sërish pa to.
P.S. Ndërkohë që shkruaj këto radhë, Bashkia vijon të presë hektarë me pemë përgjat rrugës së Elbasanit, pjesë e Parkut Kombëtar të Kodrave të Liqenit Artificial. A do ketë kohë dhe dëshirë ajo që, ndërkohë që pret pa mëshirë pemët andej, ti ujisë ato këndej? Realiteti i deri sotëm na bën mosbesues!
