E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pse Shqipëria ka rritjen ekonomike më të lartë në rajon

Rritja ekonomike prej rreth 6 përqind në vit, është e mbështetur kryesisht nga një përmirësim dhe rritje e prodhimit industrial, por edhe atij bujqësor e të shërbimeve, një performancë e kënaqshme e biznesit në tërësi, si edhe nga rritja e eksporteve dhe ajo e investimeve të huaja direkte

Ekspertë të ekonomisë shqiptare, por dhe të huaj shprehen se rritja ekonomike prej rreth 6 përqind në vit, është e mbështetur kryesisht nga një përmirësim dhe rritje e prodhimit industrial, por edhe atij bujqësor e të shërbimeve, një performancë e kënaqshme e biznesit në tërësi, si edhe nga rritja e eksporteve dhe ajo e investimeve të huaja direkte. Që nga viti 1999 norma e inflacionit ka qenë në mënyrë të qëndrueshme rreth nivelit objektiv të autoritetit monetar prej 3 përqind. Duke qenë se pjesa më e madhe e rritjes ekonomike i atribuohet një përdorimi më të lartë dhe në mënyrë më efiçente të faktorit kapital, norma e papunësisë gjatë këtyre viteve ka rënë në mënyrë më graduale për të arritur në nivelin prej 12.7 përqind në fund të vitit 2008. Zhvillimet pozitive dhe një stabilitet në sektorin financiar kanë luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në përformancën e sektorit real të ekonomisë. Nga njëra anë kreditimi i ekonomisë e kryesisht i biznesit është rritur me ritme të larta, e kjo sidomos vitet e fundit, e nga ana tjetër janë mbajtur nën kontroll të gjitha parametrat e stabilitetit financiar të vendit duke rritur ndjeshëm kredibilitetin në ekonomi të gjithë aktorëve ekonomike, vendas e të huaj. Ndërkohë ekspertët theksuan se interesi i investitorëve të huaj për të investuar në ekonominë shqiptare është rritur dukshëm e materializuar kjo në flukse të konsiderueshme hyrëse të kapitalit të huaj, qoftë ky i fundit në formën e investimeve financiare, ashtu dhe në formën e investimeve të huaja direkte. Defiçiti i llogarisë korente gjatë këtyre viteve ka qenë në nivele relativisht të ulta e të menaxhueshme krahasuar me vendet e rajonit. Në dy vitet e fundit ka patur një thellim të lehtë të defiçitit të llogarisë korrente, por kryesisht kjo reflekton një sjellje më të fortë investuese të ekonomisë tonë, qoftë nga ana e qeverisë, ashtu dhe e sektorit privat, krahas gjithashtu disa faktorëve të tjerë të përkohshëm, si rritja e importit të energjisë elektrike e i çmimit të saj në rajon, rritja në çmimin e ushqimeve dhe të karburanteve dhe kushte jo të favorshme klimaterike për sektorin e bujqësisë. Rrjedhimisht, bilanci i përgjithshëm i pagesave ka pasur çdo vit një tepricë, mesatarisht rreth 2.6 përqind e PBB-së dhe stoku i rezervave valutore të autoritetit monetar arriti shifrën e 1.5 miliard euro në fund të vitit 2007, të cilat janë të mjaftueshme për të financuar rreth 4.2 muaj importe mallrash e shërbimesh. Përsa i përket sektorit fiskal vërehet qartë, sipas ekspertëve, përmirësimi në mbledhjen e të ardhurave, menaxhimi i shpenzimeve buxhetore, mbajtja në nivele relativisht të ulta e mjaft të menaxhueshme të defiçitit buxhetor e financimit të tij, gjithnjë e me më pak kosto, e për rrjedhojë deri tek pakësimi gradual i borxhit publik si raport i PBB-së. Ndërkohë, ekspertët theksuan se të ardhurat buxhetore, megjithë uljen e disa taksave kryesore kanë patur një rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, duke u parashikuar në rreth 28 përqind të PBB në fund të vitit 2008, nga rreth 25 përqind që ishin në 1998. Por edhe shpenzimet kapitale kanë patur një rritje të konsiderueshme dhe pjesa e këtyre shpenzimeve e financuar nga të ardhurat vjetore të buxhetit gjithashtu ka ardhur në rritje. Defiçiti buxhetor si raport ndaj PBB-së gjatë këtyre viteve ka ardhur duke u pakësuar e rrjedhimisht borxhi total publik ka rënë nga rreth 63 përqind në vitin 2002 në rreth 52 përqind në fund të vitit 2007. Përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës, rinovimi i teknologjive në sektorë të ndryshëm dhe zhvillimi i kapaciteteve njerëzore kanë rritur efiçencën e ekonomisë, duke e kthyer këtë të fundit gjithnjë e më tepër në një faktor të rritjes ekonomike. Rritja me rreth 80 për qind ose rreth 205 milionë euro më tepër e investimeve të huaja direkte, gjatë vitit 2007 krahasuar me një vit më parë, e vazhduar kjo edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2008 me rreth 74 përqind më tepër IHD se e njëjta periudhë e vitit 2007, reflekton edhe njëherë nxitjen që i është bërë biznesit dhe rritjen e stabilitetit makroekonomik e të besimit në ekonominë shqiptare.
Zhvillimet pozitive në biznesin vendas, vijojnë ekspertët, sidomos në atë industrial e të shërbimeve, kanë dhënë efektet e tyre në nxitjen e punësimit e rritjen e të ardhurave të disponueshme të familjeve. Në të njëjtën kohë, sipas ekspertëve të ekonomisë, të ardhurat në rritje, të mbështetura dhe prej remitancave të vazhdueshme, si dhe rritja e kreditimit e rritja e shpenzimeve të qeverisë për investime publike, do të mbajnë në nivele të larta kërkesën e brendshme agregate, duke i dhënë një impuls të dytë nxitës rritjes së ofertës e duke krijuar kështu potenciale të reja për rritje e zhvillim të mëtejshëm ekonomik.
Gjithashtu, diversifikimi i eksporteve shqiptare gjatë dy viteve të fundit, si në produkte ashtu edhe në tregje të reja, ka rritur eksportet shqiptare. Ekspetët shprehen të bindur se kjo rritje e eksporteve do të mbajë të njëjtin ritëm edhe për periudhën në vazhdim, duke bërë që edhe kërkesa e huaj të ketë një ndikim të konsiderueshëm në rritjen ekonomike të vendit.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›