E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja sa shpenzon një shqiptar për celularin

Këtë e theksoi sot kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Pirro Xhixho, ku prezantoi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese raportin e punës 1-vjeçare të kryer nga ky institucion. Sipas tij, në Shqipëri numërohen 1.2 milionë përdorues të celularëve. 

“Çdo qytetar që ka një telefon celular harxhon mesatarisht 70 euro për çdo numër që ka, pasi shifrat tregojnë se shumica kanë më shumë se një celular", theksoi ai. E ardhura mesatare për përdorues- vijoi- "për Shqipërinë në 2010-ën ishte 70 euro, çka rezulton të jetë më i ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Norma e penetrimit për 100 banorë rezulton të jetë 185 për qind, dukshëm më lart se një vit më parë, kur ishte 140 për qind dhe po kështu edhe krahasuar me BE-në, mesatarja e së cilës ishte 124 për qind në vitin 2010". 

Në vitin 2011, një përdorues celular ka kryer mesatarisht 83 minuta thirrje dalëse dhe ka marrë 94 minuta thirrje hyrëse, duke rezultuar në 177 minuta komunikim në muaj dhe me 12 mesazhe të dërguar, ashtu sikurse ka qenë edhe më herët, tendenca për pajtimtarët me parapagesë vijon të përbëjë më shumë se 90 për qind të përdoruesve.

Kompanitë që operojnë në tregun e telefonisë celulare kanë pasur të ardhura në nivelin 419 milionë dollarë, çka përbën ulje krahasuar me një vit më parë. Ulja e të ardhurve ka ecur në kah të kundërt me kohën e shpenzuar për të komunikuar. Konsumi mestar është rritur me 4-5 për qind, ndërsa përdorimi i DMS-ve është rritur ndjeshëm me 21 për qind.  Referuar raportit të  prezantuar sot nga Kreu i AKEP, Piro Xhixho, për vitin 2011 kanë pësuar rritje edhe telefonia fikse dhe përdorimi i internetit. 

Raporti i AKEP tregon se përgjatë vitit të kaluar pajtimtarët e telefonisë fikse kapën numrin 339 mijë, çka krahasuar me një vit më parë përbën 7 mijë pajtimtarë më shumë, ndërkohë sa i takon internetit AKEP vlerëson se numri i familjeve që kanë akses në internet me bandë të gjerë është rreth 161 mijë apo afërsisht 22 për qind e familjeve, ndërsa vlerësohet të jenë mbi 13 mijë pajtimtarë biznesi. /Start/

                                                                                             2012-03-05 15:38
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›