E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jacobson: E rikonfirmoj mbështetjen e fortë të SHBA'së

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në një takim të hënën ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson, të cilën e ka informuar për fazën finale të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, dialogun e brendshëm me serbët e veriut dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin Serbinë. Ndërkohë ambasadorja ka rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e Kosovës në të gjitha sferat.

Kryeministri i vendit ka thënë se do të vazhdohet bashkëpunimi i ngushtë, mes Qeverisë së Kosovës dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një bashkëpunim që, sipas tij, do të jetë i përjetshëm dhe do të avancohet në të gjitha sferat.

Ai ka informuar ambasadoren me procesin final të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë dhe unitetit të spektrit politik për të votuar në Kuvend amandamentet kushtetuese.

“Tani jemi në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, por edhe për angazhimin gjithë ndërkombëtar në raport me Kosovën si SHBA-të në një periudhë finale që nuk kanë mbetur as dy javë të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Ne diskutuam hapat e mëtutjeshëm për ndryshimet kushtetuese që do të ndodhin për unitetin politik dhe qytetar të Kosovës për harmonizimin e gjithë hapave të mëvonshëm edhe në Parlament edhe në të gjitha institucionet në mënyrë që ky proces të përmbyllet mirë, të përmbyllet me sukses të plotë”, ka theksuar Thaçi.

Për më tepër, ai ka shtuar se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është suksesi i ri i shtetit të Kosovës i konsolidimit, forcimit, ndërtimit të shtetit demokratik dhe shumëetnik dhe i hapjes së agjendës euroatlantike për Republikën e Kosovës.

Po ashtu, ai ka informuar edhe për dialogun e brendshëm që po ndodh mes Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të veriut, e që, sipas tij është një plan afrimativ për integrimin e qytetarëve të asaj pjese.

“Kemi diskutuar edhe për hapat që do t’i ketë Kosova dhe informova ambasadoren për angazhimet konkrete të dialogut të brendshëm mes Qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri për një plan afirmativ që është prezantuar nga Qeveria e Kosovës për integrimin e tyre në jetën institucionale dhe shoqërore që të ketë edhe në veri lëvizje të lirë, sundim të ligjit, të ketë demokraci, investime socio-ekonomike dhe në të njëjtën kohë kam besim të plotë se në këtë proces do të kemi mbështetjen e plotë edhe të SHBA-së por edhe gjithë botës demokratike të NATO-së dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar kryeministri.

Në të njëjtin takim, ai ka thënë se e ka informuar mysafiren edhe për gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që sipas kryeministrit, është një nga kriteret e domosdoshme për të gjitha vendet për fqinjësi të mirë me njëri-tjetrin për t’u integruar në strukturat e Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, ambasadorja, Tracey Ann Jacobson ka rikonfirmuar mbështetjen e fortë të shtetit të saj për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe rrugën e saj drejt BE-së.

“Pata mundësi që të rikonfrimoj mbështetjen e fortë të SHBA-së për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe zhvillimin e mëtejmë si shtet demokratik shumetnike dhe për të ardhmen e Kosovës në rrugën e saj evropiane. Patëm rastin që të diskutojmë për shumë çështje të ndryshme. Pata rastin që të përgëzoj kryeministrin për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe për të gjitha ato çështje që janë arritur deri tash qysh prej shpalljes së pavarësisë dhe të diskutojmë për disa punë që kanë mbetur ende”, ka deklaruar Jacobson.

Po ashtu, ajo ka shprehur mbështetjen e saj të fortë për çështjen e Kosovës për të ofruar serbëve në veri dhe për dialogun me Serbinë që është ky përparim i mëtejmë i rajonit përfshi edhe përparimin ekonomik. Ajo ka mirëpritur bashkëpunimin e ngushtë mes ambasadës amerikane këtu dhe Qeverisë së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›