E Diel, 1 Nëntor 2026

Jacobson: Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, çështje ditësh

Përfaqësuesja e shtetit amerikan në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, në një intervistë ekskluzive për emisionin Rubikon të Kohavisionit, ka hequr dilemat se Asociacioni i komunave nënkupton autonomi territoriale. Sipas saj, kjo është pjesë e decentralizimit.

“Është çështje ditësh kur palët duhet të lëvizin në drejtimin e implementimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, është shprehur diplomatja amerikane në Kosovë.

Tracey Ann Jacobson ka shpalosur pikëpamjet e SHBA-së për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Ajo beson se të dyja qeveritë, në Beograd dhe në Prishtinë, janë serioze rreth asaj se duhet të ecet tutje me zbatimin dhe se ky është çelësi.

Jacobson, e cila thotë se pret me padurim të lëvizë me veturë mbi lumin Ibër, ka hequr dilemat se Asociacioni i komunave nënkupton autonomi territoriale, ngase, sipas saj, kjo do të quhet decentralizim, siç është paraparë me Planin e Ahtisaarit dhe siç lejohet me Kushtetutën e Kosovës.

“Në Kosovë do të jetë Kushtetuta e Kosovës dhe ligji i Kosovës. E di që kjo nuk është marrëveshje e përsosur dhe nuk mendoj se ka marrëveshje të tillë, por besoj se kjo është marrëveshja më e mirë që mund të arrihet nga të dyja palët dhe vërtet më ka lënë mbresa dhe jam mahnitur nga gjithë ajo punë që ka bërë zonja Ashton për të. Hollësitë që i përmendët ju, saktësisht se si do të kryhen ato, të gjitha këto gjëra duhet të trajtohen në marrëveshjen për zbatim, të cilën shpresoj se do ta shohim së shpejti”, tha pos tjerash ambasadorja amerikane në Prishtinë, transmeton Koha.

Diplomatja amerikane, e cila shprehet pro fjalës së lirë, thotë se nuk mund të pajtohet me taktikat e liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje” qoftë për kundërshtitë politike apo edhe ato për marrëveshjen Kosovë -Serbi, të cilat nuk heziton t’i quajë të dhunshme.

Për këtë arsye, ajo thotë se takimin ballë për ballë më Kurtin do të mund ta bëjë vetëm kur ai të heqë dorë nga taktikat e tilla.

Dek. Tracey Ann Jacobson – Ambasadore e SHBA-së në Kosovë

Nuk mendoj se është taktikë e përshtatshme për partitë politike, sepse është fizike, është e dhunshme. Më me dëshirë përfshihem në bisedë të hapur, madje edhe nëse është e nxehtë. Por, për mua, kufiri tejkalohet kur dikush përpiqet t’i shkatërrojë pajisjet apo kërcënon. Nëse z. Kurti dëshiron të largohet nga ky lloj i taktikave, do të isha më se e lumtur të takohem me të.

Jacobson u ka bërë thirrje të dyja qeverive që të ulen dhe të bisedojnë me publikun për të shpjeguar se çka përmban në të vërtetë marrëveshja.

Sipas saj, duhet të ketë edhe mundësi, përfshirë edhe për njerëzit në veri, të cilat dalin nga kjo marrëveshje.

Ajo thotë se zgjedhjet e reja në këtë pjesë të Kosovës do të mbahen me siguri kësaj vjeshte./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›