Përmbyllet manifestimi “Ditët e Agimit” në Gjilan

Në Zhegër të Gjilanit ka nisur të mërkurën manifestimi “Ditët e Agimit 2013”, që mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafa, dhe në organizim të Drejtorisë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe Këshillit Vendor në Zhegër, që i kushtohet heroit Agim Ramadani.
Të premten, ndërkaq, manifestimi ka filluar me kremtimin e ditës së shkollës në Zhegër dhe ditëlindjen e heroit Agim Ramadani, për të vazhduar me vendosjen e luleve te shtatorja e Agimit në Gjilan , si dhe për t`u përmbyllur me tubimin qendror “I këndojmë Agimit”, që u mbajt në Zhegër, raporton Rajonipress.
Qemajl Mustafa tha se “Ditët e Agimit” është festë e përvitshme, është festë e cila na bashkon për disa ditë, është festë e dashur që në vete përmban dhimbjen për mungesën e njeriut tonë të mirë, të thjeshtë, të urtë, të ndritur dhe trim, Agim Ranadanit, por më shumë se dhimbjen, kjo festë mban në vete krenarinë që na e dhuroi Agimi me shkrirjen e tij në themelet e lirisë shqiptare 14 vjet më parë.
“Agim Ramadani është shembulli dhe modeli më tipik i edukimit të mirë kombëtar e njerëzor të njeriut të hapësirës shqiptare. Është njëri nga shembujt më tipik të dashurisë së vërtetë për lirinë dhe përparimin e atdheut. Vetëm popujt që kanë dhënë dhe japin dëshmi kulmore për angazhim e vetëmohim, siç janë aktet heroike për liri, e krijojnë mundësinë që ta shkruajnë historinë e tyre të ndritur e krenare, që bëhet mësim i mirëfilltë dhe i përhershëm jo vetëm për ta, por edhe për të tjerët në rrethinën e tyre”, tha Mustafa.
Mustafa shtoi se e kemi obligim që të gjithë dhe secilën ditë të ardhshme ta forcojmë e ta rrisim lirinë për të cilën u sakrifikuan heronjtë, dëshmorët dhe veteranët e invalidët e luftës sonë për liri. “Vetëm në këtë mënyrë dëshmojmë që fryma e jetës dhe e veprës së Agimit jeton për ditë me ne dhe thellë në ne”, nënvizoi kreu i Gjilanit.
Në emër të bashkëluftëtarëve të Agimit, foli Rrustem Berisha, i cili tha se të gjithë pjesëtarët e UÇK-së kanë luftuar për idealin e sotëm që Kosova të frymojë lirshëm.
Edhe Dom Lush Gjergji tha se vepra e Agimit është plotë dritë e dashuri, andaj respekti për këtë figurë emblematike do të jetë i përjetshëm.
Manifestimi ka vazhduar me një program të pasur kulturor-artistik.