Kryetarja e AGPK-së kundër Indeksonline

Ditën e lirisë së shtypit, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës e ka shënuar me një tryezë dhe koktej në hotelin luksoz e zëvendëskryeministrit të parë, Behgjet Pacolli.
Ky veprim është kritikuar nga disa gazetarë në rrjetin social facebook dhe shumë prej tyre kanë bërë thirrje që të bojkotohet pjesëmarrja në këtë ngjarje sepse konsiderohet si konflikt interesi, organizimi në hotelin luksoz të një zyrtari të lartë të qeverisë.
Mësohet se organizmi është lejuar falas. Në një mbledhje të bordit të AGPK-së, shënimi i këtij organizimi, ishte kritikuar nga disa prej anëtarëve të bordit.
Indeksonline ditë më parë kishte raportuar se kryetarja e AGPK-së, Liridona Lluka, publikisht shpreh qëndrimin e saj proqeveritar. Publikimi i këtij lajmi, kishte bërë që kjo të ishte vërejtje prej të gjithë anëtarëve të tjerë të bordit drejt kryetares së AGPK-së.
Pas publikimet të lajmit që fliste për aktivitetin e Llukës në twitter, ku në dhjetëra raste kishte shprehur pozicionimin pro qeverisë, Lluka e cila supozohet dhe është e thirrur për të mbrojtur gazetarët qoftë edhe prej presionit eventual të pronarëve të mediave, kishte kontaktuar pronarin e portalit, duke kërkuar heqjen e lajmit dhe duke kritikuar për lajmin e publikuar.
Njërin prej pjesëtarëve të Indeksonline e kishin kontaktuar dy zyrtarë prej partive në pushtet duke kërkuar fshirjen e lajmit nga portali. Lluka e kontaktuar nga Indeksonline, nuk është përgjigjur nëse ata politikanë, kanë ndërhyrë vullnetarisht ose kanë qenë të shtyrë prej saj.
Indeksonline e ka kontaktuar atë në dy numra të ndryshëm në të cilët nuk është përgjigjur megjithëse fillimisht në telefonatën e parë kishte ‘iu lajmërohem pas dhjetë minutash’.
Mësohet se gjatë takimit të bordit, është kërkuar mbajtja e kuvendit të jashtëzakonshëm të AGPK-së, me qëllim që të ketë zgjedhje të reja për shkak të pakënaqësive me kryetaren e re të AGPK-së, por në fund pavarësisht pakënaqësive, është vendosur që të ajo të vazhdojë punën si kryetare.
Për t’i bindur anëtarët e bordit që të mos kërkojnë zgjedhje të reja Lluka u kishte thënë anëtarëve se ajo e ka mbyllur profilin e saj në twitter.
Njëra prej vërejtjeve që i kanë bërë disa prej anëtarëve te bordit të AGPK-së ka qenë një intervistë e saj, dhënë për RTV 21 ka sulmuar Indeksonline pa i përmendur emrin, por duke thënë se portali që ka shkruar për të, ka botuar lajme të pavërteta duke aluduar në një lajm kur Indeksonline ishte i sulmuar nga hakerët.
AGPK sot ka bërë edhe një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës ku ka kërkuar emërimin e një zëdhënësi .
Ndërkohë në Tiranë gazetarët kanë zhvilluar protesta për të kërkuar të drejtat e tyre si punëtore dhe si gazetarë./Indeksonline/