Jahjaga: 28 Nëntori, simbol i identitetit tonë kombëtar
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e 28 Nëntorit. Në urimin e saj, presidentja Jahjaga thekson se kjo është një ditë e rëndësishme e historisë sonë dhe si e tillë duhet të festohet e lirë dhe e barabartë me të gjitha kombet e tjera të botës.
"Në këtë Ditë që simbolizon identitetin dhe krenarinë tonë kombëtare të mendojmë se si t`i ndihmojmë atdheut me punën tonë të përditshme, duke ndërtuar marrëdhëniet e përgjithshme dhe duke vepruar për të ardhmen tonë më të mirë, më të sigurt dhe më të begatë për ne dhe për gjeneratat që do të vijnë. Kombi shqiptar është një popull që dha kontribut në historinë e njerëzimit, është një popull që i përket civilizimit evropian, është një popull që çdo herë gjatë historisë ishte në anën e përparimit dhe të forcave progresive" ka theksuar Jahjaga.
Ajo ka shtuar më tej se e ardhmja e Kosovës është integrimi në BE dhe anëtarësimi në NATO dhe në OKB.
"Këtë e realizojmë duke punuar dhe duke u përpjekur të gjithë së bashku, duke nxjerrë në pah vlerat dhe cilësitë tona më të mira që i kemi, duke punuar së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në dhe shtetet e BE-së, duke dhënë kështu kontributin tonë, modest por domethënës, arsimit, shkencës, ekonomisë dhe mbarë kulturës dhe civilizimit njerëzor, duke qenë faktor mirëkuptimi, përparimi, paqeje dhe stabiliteti" ka përfunduar presidentja e Kosovës.