Jahjaga-Bërns: SHBA do të mbështesë Kosovën në të gjitha proceset

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në takim zëvendëssekretarin amerikan të shtetit, Uilliam Bërns, i shoqëruar nga zëvendësndihmëssekretari i shtetit, Filip Riker, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Kristofer Dell.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Bërns ka ritheksuar mbështetjen dhe përkrahjen e SHBA-së për Kosovën "në të gjitha proceset e saj". Ai ka thënë se SHBA-ja është e interesuar për përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit, përfshirë Kosovën, drejt integrimeve euroatlantike.
Nga ana tjetër, presidentja Jahjaga ka thënë se prania e vazhdueshme e SHBA-së në Kosovë është garantues i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Sipas shefes së shtetit, janë bërë hapa të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të arritur stabilitetin, ndërsa zbatimi i Planit Ahtisari, shtoi Jahjaga, ofron të drejta të garantuara për komunitetin serb dhe është zgjidhja më e mirë për komunat në veri të Kosovës.
Presidentja e Kosovës ka thënë gjithashtu se Serbia duhet të përmbushë obligimet e veta, duke u angazhuar për një bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.
Bërns po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku ka zhvilluar një sërë takimesh më përfaqësues shtetërorë dhe ndërkombëtarë.