E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga: Bisedimet me Beogradin, jo për çështje të brendshme të Kosovës

12-01-2013 / Gazeta 55

Kreu i shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga deklaron se bisedimet me Beogradin për largimin e institucioneve të Serbisë nga Veriu i Kosovës, nuk janë takime ku po flitet për çështje të brendshme të shtetit


Atifete Jahjaga i ka bërë një interpretim tjetër takimit të ardhshëm mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit. Ajo ka thënë se takimet me zyrtarët serbë për largimin e strukturave paralele nuk janë bisedime për pjesët e brendshme të Kosovës. Në paraqitjen e parë për këtë vit, Shefja e Shtetit ka përsëritur se nuk e ka në plan të japë dorëheqje pa u bërë pranim-dorëzimi i rregullt i detyrës te Presidenti i ri.


Për Presidenten Atifete Jahjaga bisedimet me Beogradin për largimin e institucioneve të Serbisë nga Veriu i Kosovës nuk janë takime ku po flitet për çështje të brendshme të Shtetit.


Ajo shpreson se për Veriun e Kosovës nuk do të bisedohet në Bruksel mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiçit.


Shefja e Shtetit nuk po u beson as deklaratave të Baroneshës Ashton, të Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë se më 17 janar në Bruksel mes dy Kryeministrave do të flitet edhe për zgjidhjen e problemeve 13 vjeçare në Veri të Kosovës.


Në fakt, Jahjaga thotë se me Serbinë do të bisedohet vetëm për heqjen e strukturave paralele të Beogradit në pjesën më problematike të Kosovës.


“Assesi (nuk do të bisedohet për Veri) dhe kjo është përgjigja ime edhe më herët”, ka thënë Presidentja në takimin e parë me gazetarë për vitin 2013.


Pavarësisht se Veriu është pjesë e Kosovës, Presidentja e konsideron se bisedimet për largimin e institucioneve të Serbisë nga ajo pjesë nuk janë çështje e brendshme e Kosovës.


“Për çështjet e rregullimit të brendshëm ne nuk do të bisedojmë me askënd, por duhet të vazhdojë dialogu i mëtutjeshëm për tërheqjen e strukturave që veprojnë dhe që janë të nxitura dhe të financuara nga ana e shtetit fqinj, Serbia”, ka shtuar ajo.


Ajo ka përkrahur idenë për bisedime me Serbinë, duke thënë se dialogu është rruga e vetme për t’i normalizuar raportet ndërshtetërore.


Jahjaga ka folur edhe për reformat zgjedhore dhe kushtetuese. Por, jo edhe për dorëheqjen, që po ia kërkon një pjesë e opozitës.


Ajo ka thënë se nuk e ka në plan të largohet nga posti më i lartë shtetëror, por është duke punuar për të ndërtuar praktikën e pranim-dorëzimit të postit të Presidentit vetëm pasi të zgjidhet Presidenti i ri.


Duke iu përgjigjur kërkesës së LDK-së, Jahjaga ka thënë se kriza politike në Kosovë thellohet nëse ajo jep dorëheqje.


“Dorëheqja e Presidentit nuk nënkupton zgjidhjen e krizës. Përkundrazi, dorëheqja e Presidentit nënkupton krijimin dhe thellimin e krizës për shtetin tonë. Këtë shembull e kemi pasur para rreth dy vitesh”, ka thënë Jahjaga në konferencën e parë për vitin 2013.


Pavarësisht se Kushtetuta nuk e ndalon dorëheqjen, Presidentja ka thënë se asnjë marrëveshje dhe as akti më i lartë politik dhe juridik i shtetit nuk e parasheh dorëheqjen.


“Dorëheqja nuk është pjesë e marrëveshjes dhe dorëheqja nuk është e paraparë as me Kushtetutë”, ka thënë ajo.


Veç kësaj, Presidentja Jahjaga u ka mbajtur leksione të demokracisë partive politike në Kosovë, duke thënë se praktikat institucionale njohin vetëm dorëzimin e rregullt të posteve shtetërore.


“Unë them se duhet të fillojmë ta ndërtojmë një praktikë dhe një lloj të kulturës institucionale, që duhet të punojmë drejt pranim-dorëzimit të rregullt nga Presidenti aktual në Presidentin e zgjedhur. Shteti jonë duhet njëherë e përgjithmonë të vendosë një sistem të kulturës institucionale”, ka shtuar ajo.


Megjithëkëtë, Shefja e Shtetit u ka bërë edhe njëherë thirrje partive politike të përfundojnë reformën zgjedhore dhe kushtetuese si kusht për integrime në BE.


“Reforma zgjedhore dhe kushtetuese është një domosdoshmëri dhe një obligim i institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe është një parakusht për procesin e integrimeve në BE. Është çështje e partive politike që të avancojnë në procesin e reformës kushtetuese dhe reformës zgjedhore, ashtu qysh është e paraparë edhe në kuadër të marrëveshjes”, ka thënë ajo.


Atifete Jahjaga ka ardhur në krye të shtetit pas një marrëveshjeje mes PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, me të cilin e kishin nxjerrë vendin nga kriza e fillim vitit 2011.


Në atë marrëveshje ishte paraparë përfundimi i reformave zgjedhore dhe kushtetuese dhe zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale.


Këto procese janë bllokuar prejse Gjykata Kushtetuese konstatoi se posti i Presidentit nuk mund të shkurtohet me ndryshime kushtetuese.


Jahjaga, e cila kishte kërkuar nga Gjykata të mos i shkurtohej mandati, tash ka dalë me një pozicion të ri, duke thënë se në momentin që bëhen ndryshimet kushtetuese dhe mbahen zgjedhjet presidenciale, do të tërhiqet. /Gazeta Express


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›