Panariti vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe
Ministri i Jashtëm
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti u nis dje për në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, për të marrë pjesë në Sesionin e Tretë të Asamblesë së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme, IRENA, që do të zhvillohet më 13 dhe 14 janar 2013. Sesioni i Tretë i Asamblesë së IRENA-s do të diskutojë çështjet më të rëndësishme, me të cilat po përballet komuniteti ndërkombëtar në fushën e energjisë së rinovueshme si dhe do të fillojë diskutimet për vendosjen e standardeve për një energji të qëndrueshme, për të gjitha vendet anëtare, deri në vitin 2030. Ky sesion do të ketë edhe një segment të nivelit të lartë (nivel ministror), në seancë plenare, ku vendet e ndryshme do të diskutojnë mbi arritjet dhe sfidat kombëtare dhe ato globale.
Ministri Panariti do të ketë mundësinë për të prezantuar nismat e qeverisë shqiptarë në drejtim të promovimit të zbatimit dhe zhvillimit të energjisë së rinovueshme në vendin tonë, nëpërmjet komentimit të projektligjit “Mbi energjinë e rinovueshme”. Gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë së IRENA-s, z. Panariti do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me Ministrat e vendeve të ndryshme, pjesëmarrës në Konferencë, për të nxitur investimet e huaja në vendin tonë në fushën e energjisë së rinovueshme.
Vendi ynë është një nga vendet e para që ka ratifikuar statutin e IRENA-s dhe ka marrë pjesë në të gjitha takimet e Asamblesë së vendeve anëtare të saj, qysh në themelimin e saj. Bashkëpunimi me IRENA përbën një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, pasi pothuajse e gjithë energjia në vendin tonë prodhohet nëpërmjet burimeve të rinovueshme.
Ministri Panariti do të zhvillojë edhe një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të ketë një sërë takimesh dypalëshe të nivelit të lartë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit me këtë vend.
...