E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga-Branco: Portugalia do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në një takim ministrin e Mbrojtjes së Portugalisë, Jose Pedro Aguiar Branco, i cili shoqërohej nga Shefi i Forcave të Armatosura të Portugalisë, gjenerali Luis Araujo.
 

Gjatë takimit Jahjaga vlerësoi ndihmën që Portugalia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, në veçanti përmes pjesëmarrjes së trupave të saj në kuadër të forcës paqeruajtëse KFOR. Ajo tha se është e nevojshme mbështetja e Portugalisë në proçeset integruese të Kosovës me pjesëmarrjen e saj në nismat rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë Partneritetin për Paqe dhe anëtarësimin në NATO.
 

Ndër të tjera Jahjaga tha se Forcat e Sigurisë së Kosovës po i përmbushin me sukses kapacitet e tyre operacionale dhe mbështetja e Portugalisë në këtë drejtim është e një rëndësie të veçantë.
 

Nga ana e tij ministri portugez i Mbrojtjes tha se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën dhe se trupat portugeze do të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të forcës paqeruajtëse të NATO-s. Ai tha gjithashtu se Portugalia është e interesuar për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›