E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Debati në Kuvend për rastin Kiçina, precedent i keq

(E plotësuar) Edhe Presidenca e Republikës së Kosovës e sheh si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit debatin në Kuvendin e Kosovës, për atë që njihet si rasti "Kiçina".

Në një përgjigje me shkrim, dërguar Radios Evropa e Lirë, nga zyra e presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, thuhet se "debati në Kuvendin e Republikës së Kosovës për një rast gjyqësor konsiderohet ndërhyrje në pavarësinë e punës së gjykatave, sepse Kuvendi i Kosovës nuk e ka as mandatin e as mekanizmat për ballafaqimin me prova".

"Ky rast është një precedent i keq dhe shkelje e vet rregullores së Kuvendit për vënien në rend të ditës për raste të tilla".

Në të thuhet gjithashtu se "është mirë që debati nuk ka prodhuar asnjë efekt praktik".

"Republika e Kosovës është shtet i rendit dhe i ligjit me pushtetet e ndara legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Pavarësia e Gjyqësorit është një nga vlerat e shoqërisë sonë demokratike dhe garant i funksionimit të sistemit".

"Ndarja e pushteteve kontribuon edhe në luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të gjitha dukurive negative në shoqëri që janë pengesë për zhvillimin demokratik dhe të ardhmen tonë".

"Kuvendi si organi më i lartë ligjvënës pikërisht duhet ta mbrojë dhe ta ruajë pavarësinë e institucioneve të pavarura të gjyqësorit", thuhet në përgjigjen e zyrës së presidentes së Kosovës.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar sot ndaj vendimit të Kuvendit për të debatuar mbi formimin e një komisioni për të hetuar shkeljet procedurale në këtë rast gjyqësor.

Vëllezërit Arben dhe Jeton Kiçina, si dhe Arsim dhe Burim Ramadani, po vuajnë dënimin prej 106 vjetësh burgim.

Ata akuzohen se në vitin 2001, në Baicë të Drenasit, kanë vrarë ish-inspektorin e policisë, Hamzë Hajrën, bashkë me katër anëtarë të familjes së tij.

Të katër të dënuarit janë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

..........................................

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nën kryesinë e Kryesuesit z. Enver Peci ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme rreth diskutimit për rastin “Kiçina” në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në këtë mbledhje KGJK ka miratuar një rezolutë përmes së cilës dënon ndërhyrjen e Kuvendit të Kosovës në sistemin gjyqësor.

“Pas informimit se Kuvendi i Kosovës ka hap diskutimin në seancën e saj për rastin “Kiçina” KGJK-ja, konsideron se çdo diskutim i një vendimi konkret gjyqësor paraqet përzierje të palejueshme dhe me këtë bëhet shkelje e ndarjes së sistemit gjyqësor dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe rregullat ndërkombëtare.
Këshilli Gjyqësor inkurajon që çdo vendim gjyqësor mund të rishqyrtohet përmes procedurave të rregullta gjyqësore dhe çdo diskutim i kësaj natyre është i pa tolerueshëm dhe paraqet ndërhyrje të drejtpërdrejtë në parimin e pavarësisë dhe paanësisë së pushteteve.
Andaj, KGJK-ja, shpreh shqetësim lidhur me debatin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës dhe konsideron se një diskutim i tillë, paraqet shkelje fundamentale të sundimin të ligjit në një shoqëri demokratike”, thuhet në rezolutë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›