E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Eshtrat e Hasan Prishtinës do të kthehen në atdhe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në takim nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, pas përurimit të shtatores së atdhetarit dhe patriotit Hasan Prishtina në Tiranë.

Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Berisha theksuan rëndësinë e nderimit dhe të vlerësimit të veprimtarëve, atdhetarëve dhe intelektualëve shqiptarë, figurave të shquara të kombit shqiptar.

Të dy bashkëbiseduesit, siç thuhet në një komunikatë të Presidencës, theksuan se në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë nderimi i figurave historike ka një rëndësi të veçantë dhe rivendos të vërtetat historike për gjithë ata që kontribuuan në krijimin e shtetit dhe në forcimin e kombit shqiptar.

Presidentja Jahjaga theksoi se eshtrat e Hasan Prishtinës dhe të gjithë atdhetarëve dhe të veprimtarëve të Kosovës do të kthehen në atdhe.

Presidentja Jahjaga gjatë qëndrimit të saj në Tiranë pati një drekë pune me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, si dhe e vizitoi Muzeun Historik Kombëtar ku me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë janë të ekspozuar shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›